Mijëra njerëz dolën në rrugët e Izraelit për të protestuar pasi Netanyahu shkarkoi ministrin e Mbrojtjes

Dhjetëra mijëra izraelitë kanë organizuar protesta në qytete anembanë vendit në një shpërthim spontan zemërimi pasi kryeministri Benjamin Netanyahu shkarkoi papritmas ministrin e tij të Mbrojtjes.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant pas kundërshtimit të tij ndaj reformës në drejtësi.

Sipas mediave të huaja, protestuesit në Tel Aviv bllokuan një autostradë kryesore dhe ndezën zjarre të mëdha të dielën vonë mbrëma, ndërsa policia u përlesh me protestuesit që u mblodhën jashtë shtëpisë private të Netanyahut në Jerusalem.

Trazirat thelluan një krizë mujore mbi planin e Netanyahut për të “reformuar gjyqësorin”, i cili ka shkaktuar protesta masive, ka alarmuar liderët e biznesit dhe ish-shefat e sigurisë dhe ka nxitur shqetësime te Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të ngushtë.

Shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes nga Netanyahu, Yoav Gallant, sinjalizoi se kryeministri dhe aleatët e tij do të vazhdojnë këtë javë me “planin e rinovimit”.

Por ndërsa një mori protestuesish vërshuan rrugët deri në orët e vona të natës, ministrat e Likud filluan të tregonin një gatishmëri “për të goditur frenat”.

Ministri i Kulturës, Miki Zohar, një i besuar i Netanyahut, tha se partia do ta mbështeste atë nëse ai vendos të ndalojë reformën gjyqësore.