Mickoski premton shumicë parlamentare, Zaev: Freno Micko, kemi edhe rreth të dytë

Rikthimi dhe marrja e pushtetit në një numër të madh komunash në zgjedhjet lokale, si duket i dhanë krah opozitares VMRO-DPMNE për të kërkuar shumicë të re parlamentare, ose zgjedhje të parakohshme parlamentare. Lideri i kësaj partie Hristijan Mickoski tha se për këtë do të vendosë kryesia partisë.

“Udhëheqësia e partisë do të ulen dhe do ta shqyrtojnë atë opsion. Ndoshta në ndërkohë do të formojnë shumicë të re parlamentare. Të presim që koha të jap përgjigje në këtë pyetje, por mendoj se shpejtë do ta keni.”

Kreu i ASh-së, Ziadin Sela, tha se qytetarët kanë humbur besimin në Qeverinë aktuale, ndërsa kërkoi që të përgatiten për Qeveri të re.

“Unë e kam paralajmëruar edhe në fushatë, në qoftë se opozita në përgjithësi i fiton shumicën e pushtetit, le të përgatiten qytetarët për Qeveri të re në dhjetor dhe pastaj edhe pas një viti mund të ketë edhe zgjedhje të reja parlamentare.”

Por, i pari i pushteti ekzekutiv, Zoran Zaev kërkon që Mickoski të frenojë sepse zgjedhjet lokale kanë edhe raund të dytë.

“Unë kësaj do t’i përgjigjem freno Micko. Raundi i dytë është para neve. Jam i sigurt se do të kemi shumicë dhe më shumë kryetarë komunash në shumë komuna në vendin tonë.”

Krerët e opozitës edhe maqedonase edhe shqiptare që para se të mbaheshin zgjedhjet lokale, patën deklaruar se nëse fitojnë pushtetin mbi shumicën e komunave, do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare./TV21