Mickoski, për konfrontimet mes qeverisë dhe prokurorisë: Përplasje komike mes dy bandave

Performancë e zakonshme dhe komike mes dy bandave, tha lideri i VMRO DPMNE-së, Hirstijan Mickovski duke komentuar përplasjen e djeshme të prokurorit publik Ljubomir Joveski me zëvendëskryeministren për qeverisje të mirë, Sllavica Gërgovska në lidhje me kritikat e kësaj të fundit për gjyqësorin në vend.

“Kjo përballje më duket si përballje kriminale e dy bandave të qeverisë në një skenë të hapur, të cilët zihen në mes vete për shkak se nuk munden ta ndajnë plaçkën apo atë që kanë vjedhur dhe t’i kënaqin interesat personale. Kjo u tregua qartë në zgjedhjet e fundit të kuadrove në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion por gjithashtu edhe në Këshillin Gjyqësor”, tha Hristijan Mickovski, lider i VMRO DPMNE-së.

Mickovski përsëriti nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që sipas tij as BDI-ja që është 20 vite në pushtet dhe as LSDM-ja nuk kanë arritur të luftojnë krimin dhe korrupsionin.

“Interesante, por më pak dhe qesharake e komike tingëllojnë deklaratat e ministrit për punë të brendshme, i cili është ministër tash 7 vite se tani duhet të reagohet dhe të hapet front kundër krimit dhe korrupsionit në vend që të thotë po tërhiqem sepse nuk arrita. Interesante, qesharake dhe komike është kur këto deklarata vijnë nga përfaqësues të Qeverisë, të cilët tash 5 vite janë në qeveri në Maqedoni, ndërsa më interesante dhe më komike është kur partia politike e cila është 20 vite në qeveri, pra Bashkimi Demokratik për Integrim kur thotë se tani është momenti kur do të luftojnë me krimin dhe korrupsionin”, shtoi ai.

Ndryshe, duke folur për luftën kundër korrupsionit, zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska kishte thënë se është shkatërruese që prokurorët nuk kanë integritet vet të marrin vendime si dhe kishte kritikuar punën e gjyqësorit në vend. Ajo kritikoi edhe punën e prokurorit publik Lubomir Jovevski duke thënë se ai nuk duhet të zgjidhet gjykatës kushtetues pasi ka dështuar si prokuror publik. E menjëhershme ishte kundërpërgjigjja e prokurorit publik, Ljubomir Joveski i cili këto deklarata i vlerësoi si të pabaza, paushallë dhe të pasakta. Edhe Jovevski tha se qeverisë nuk i duhet një posti si ai që ushtron Sllvica Gërkovska për shkak se nuk ka kryer detyrat e saj./Alsat.mk