Mexhiti: Ahmetin e kam njoftuar se nuk e votoj Qeverinë, dy javë para seancës

Nënkryetari dhe deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti, e ka njoftuar dy javë më parë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, se nuk do ta votojë Qeverinë e re të drejtuar nga Dimitar Kovaçevski. Në një prononcim me shkrim për gazetën LAJM, Mexhiti, tha se arsyet janë publike dhe se kanë të bëjnë më ekzekutivin e BDI-së.

“Kryetarin e kam njoftuar dy javë para seancës. Argumentet veçmë dihen, janë publike një kohë të gjatë dhe adresohen për ekzekutivin e BDI-së”, u shpreh Mexhiti për gazetën
LAJM.

Më tej, Mexhiti ka njoftuar se së shpejti pritet të nisin procedurat për konstituimin e organeve të reja partiake.

“Për organet partiake, së shpejti pritet të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm, ku do të vendoset mbi dinamiken e procesit për konstituimin e organeve te reja legjitime”, tha Izet Mexhiti për gazetën LAJM.

Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2020 dhe formimit të Qeverisë “Zaev 2”, Mexhiti ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj përzgjedhjes së përfaqësuesve të partisë së tij në ekzekutiv.

Qeveria e re u votua nga 62 deputetë, ndërsa, siç dihet, shumica e re parlamentare ka 64 deputetë. Izet Mexhiti nga BDI-ja dhe Lolita Ristova nga LSDM-ja  ishin dy deputetët e mazhorancës që nuk votuan Qeverinë e Dimitar Kovaçevskit./Albion Memeti, Gazeta LAJM