Mexhiti: A po përgatiten Bujar Osmani dhe BDI për ta kthyer Gruevskin në Shkup më 23 tetor, në Ditën e VMRO-së?

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka pyetur ministrin e Jashtëm Bujar Osmanin, nëse ai dhe partia që përfaqëson BDI, janë duke përgatitur kthimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në Shkup, më 23 tetor, Ditën e VMRO-së.

“Fatkeqësisht po vërtetohen pyetjet tona që i parashtruam si opozitës, që ende qendrojnë nëpër veb faqet tona, të partive, profilet tona, ku kemi bërë pyetje publike, a e ka vizituar Bujar Osmani Nikolla Gruevskin në Budapest, vetë apo familjarisht dhe përgjigjet ishin të ndryshime, ishin diplomatike, ishin kamufluese. Fatkeqësisht sot e vertetoi që ish-regjimi i VMRO-së në krye me Nikolla Gruevskin është në bashkëpunim me BDI-në. Unë kam menduar se në vitin 2016 janë ndarë por tani del në sipërfaqe që këta në mënyrë të fshehtë e kanë mbajtur komunikimin, e kanë nidhmuar njëri-tjetrin dhe sot z.Osmani e vërtetoi që po punojnë për ta rikthyer Gruevskin këtu. Për këtë arsye e bënë ndryshimin e Kodit Penale, për këtë arsye flasin për ligj për amnesty, flasim për ligje të ndryshme vetëm që të jenë në funksion të kthimit të Gruevskit. Dhe nëse atëherë e parashtrova atë pyetje, sot te Lajmi e parashtroj pyetjen, a po përgatitet Bujar Osmani dhe të tjerët që Nikolla Gruevskin ta kthejnë më 23 tetor, Ditën e VMRO-së në Shkup”, tha kryetari i LD-së, Izet Mexhiti për gazetën LAJM.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani ka thënë ish-kryeministri Nikolla Gruevski duhet të jetë në Maqedoni për t’u përballur me drejtësinë.

“Nga pikëpamja politike, është një çështje që e di që do të keqpërdoret, por nga pikëpamja e sigurisë, të kesh një kryeministër që ishte kryeministër për më shumë se 10 vjet dhe i kishte të gjitha informacionet e shtetit , dhe është në duart e një shteti tjetër, kjo nuk është mirë për asnjë shtet.”- deklaroi Bujar Osmani, ndërsa tha se nuk ka asnjë iniciativë për kthimin e Gruevskit.

“Më mirë është që ai të jetë këtu dhe të merret me proceset gjyqësore që i ka. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Kjo është arsyeja pse unë e them këtë në mënyrë analitike, por e gjithë kjo famë rreth një lloj komunikimi është frika psikologjike që ne nuk e kuptojmë.”- tha Osmani.