Meta me apel që t’i jepet fund ikjes së trurit nga Shqipëria

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, përmes një statusi në Fejsbuk theksoi se sot vendit më shumë se kurrë i duhet shpresë dhe besim.

Ai apelon që të pengohet ikja e trurit nga Shqipëria, duke u përqendruar në rritjen e numrit të atyre të cilët duan ta braktisin vendin.

Sipas Metës, 92 përqind e studentëve të mjekësisë, 79 përqind e studentëve të ekonomisë dhe 64 përqind e studentëve të pedagogjisë duan të largohen nga vendi.

“Stop ikjes së trurit. Më shumë se kurrë, sot Shqipëria ka nevojë për shpresë dhe besim”, shkroi Meta.

Ai këto ditë duke iu referuar të dhënave të Eurostat-it, sipas të cilave vendi i tij në vitin 2019 renditet i pari në Evropë sipas numrit të azilkërkuesve ekonomikë në 10 mijë banorë, deklaroi se “një shqiptar sot ndihet shumë më i pashpresë se një sirian, irakian apo afgan”.

Duke i vlerësuar si të dhënë më se shqetësuese të Eurostat-it, sipas të cilave në periudhën e vitit 2014-2019, në ndonjë nga vendet e BE-së azil ekonomik kanë kërkuar 189,975 shtetas shqiptarë, ai tha se tani është koha të mendojmë dhe veprojmë për shqiptarët.