Mesazhi i Papa Françeskut: Veç vaksinës ndaj Covid-19, na duhet një vaksinë edhe për zemrën

Papa Françesku u shfaq këtë të premte me mesazhin e tij për vitin e ri 2021, pavarësisht lajmit për një rëndim të gjendjes së tij shëndetësore ditët e fundit.

Për këtë vit, Ati i Shenjtë theksoi se përveç kurës dhe vaksinës kundër Covid-19, duhet të mendojmë edhe për një kurë për zemrën dhe kjo është kujdesi për të tjerët: “Këtë vit, teksa shpresojmë në një ringjallje dhe në kura të reja, nuk duhet të lëmë pas dore përkujdesjen. Sepse, veç vaksinës për trupin, na duhet një tjetër vaksinë për zemrën: ajo është përkujdesja. Do të jetë një vit i mbarë nëse do të përkujdesemi për të tjerët. Ngjarjet e dhimbshme që shënjuan udhëtimin njerëzor vitin e shkuar, kryesisht pandemia, na mësuan se sa e nevojshme është që ne të interesohemi edhe për problemet e të tjerëve dhe të ndajmë me ta çdo shqetësim”.

Një lutje të veçantë, Papa Françesku pati edhe për përshkallëzimin e dhunës në Jemen, vendi i përfshirë nga luftimet prej 6 vitesh tashmë: “Shpreh dhimbjen dhe shqetësimin tim për përshkallëzimin e dhunës në Jemen, që ka shkaktuar viktima të pafajshme. Lutem në gjetjen e një zgjidhjeje për rikthimin e paqes për popullin e goditur rëndë. Motra dhe vëllezër, le të mendojmë për fëmijët në Jemen, që po rriten pa edukim, pa mjekim e të uritur. Për të gjithë ju, urimet e mia për paqe dhe qetësi në këtë vit të ri”.