Mesazhi i fuqishëm nga zyrtari i VV-së: Shqiptarëve të Maqedonisë nuk u mjafton vetëm një post pushtetari!

Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht ka patur edhe pushtetarë shqiptarë në qeveri, kryesisht nga partitë e njëjta.

Pa qenë nihilist, ka patur arritje, sidomos si rezultat i betejave për universitet dhe i luftës, por puna është se 18 vite pas luftës, për popullin poshtë prezenca e shqiptarëve në poste të larta në qeveri nuk ka prodhuar efektet e duhura. Shqiptarët mbeten të diskriminuar në investime, në zhvillim infrastrukturor e ekonomik, si dhe me shërbime publike (arsim e mjekësi) nën mesataren e vendit. Papunësia te shqiptarët është më e lartë, e partitë e vjetra kanë qeverisur edhe përmes personave “të fortë”, të përfshirë në aktivitete të paligjshme e korruptive, gjë që ka përkeqësuar jetën dhe imazhin e komuniteteve shqiptare.

Kështu që, sot në Maqedoninë e Veriut, mund të themi nga përvoja se për shqiptarët që duan zhvillim, drejtësi e barazi, nuk mjafton që në një pozitë të vendoset një shqiptar. Është e nevojshme që personi në fjalë të ketë edhe program pro-shqiptar.

Pra nuk mjafton të jetë shqiptar. Duhet të jetë edhe pro-shqiptar! (Arbër Zaimi)