“Merkel versioni burrë”, Rama komenton kancelarin gjerman

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dha një intervistë per emisionin radiofonik nga Alaister Campbell dhe Rory Stewart.

Ndër të tjera foli dhe për admirimin e tij ndaj ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe marrëdhënien me kancelarin aktual Olaf Scholz.

“Kur takova Scholtz në zyrën e Angelas, për ca minuta po ndihesha shumë çuditshëm sepse po mendoja ishte ajo që prezantonte veten e saj si burrë para meje. I njëjti qëndrim, e njëjta mënyrë e mbajtjes së duarve, e njëjta pamje, i njëjti reagim, i njëjti ton zëri,” – u shpreh Rama.

Kryeministri tha se e kuptoi që ishte Scholtz dhe jo Merkel në momentin kur tha se ishte i angazhuar që Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor të futeshin në BE gjatë mandatit të tij.

Rama u shpreh se Scholz ka të gjitha kapacitetet për të qenë si Merkel në të ardhmen. Ai argumentoi se dhe kancelarja në fillim të mandatit të saj nuk ishte e njëjta si në momentin që u largua.