Xheladin Murati
Kërkimet në shkollë dhe jashta saj, ato në kushte natyrore, thuaj se janë të panjohura, ndonëse ka interes për afirmimin dhe zbatimin e tyre në praktikën pedagogjike. Sepse mungesa e tyre e përjashton cilësinë në mësim.
Kërkimet në fushën e arsimit, në procesin mësimor-edukativ dhe kërkimet natyraliste si më specifike kontribuojnë dhe në rritjen e aftësive profesionale të mësuesve. Unë e kuptoj procesin e kërkimit si një akt kreativ, si shpërthim intuitash që reflektojnë në kuadër të ideve për zbulim dhe që varen nga shkathtësitë e intelektit të mësuesit dhe impulset kreative që burojnë nga praktika pedagogjike në shkollë dhe jashtë saj.
Arsimi vetë nuk është i vetëdijshëm për përfitimet dhe mundësitë e ndryshme që ofrojnë kërkimet, andaj edhe kjo gjë lë për të dëshiruar. NJëherit nevojiten edhe përmirësime dhe aftësim të mësuesve për të kërkuar veçanërisht për të menaxhuar me projektet kërkimore, Nga ana tjetër ekspertët thonë se kërkimeve në shkollë duhet t’u kushtohet kujdes i merituar, kjo mbase mësuesit duhet t’i kushtojnë rëndësi më të madhe efikasitetit mësimor që arrihet permes kërkimeve.
Në nivel të shoqërisë shumë pak investohet për kërkime dhe thuajse aspak për investime të vogla siç janë kërkimet natyraliste që realizohen nga mësuesit. Kjo përkundër faktit se kërkimet e rritin konkurrencën në mësim dhe cilësinë e dijeve. Andaj duhet patur kujdes në ngritjen e efikasitetit mësimor, duke ndarë fonde për realizim. Në nivel të shkollave duhet vendosur sisteme për menaxhimin e kërkimeve me ndihmën dhe konsulencën e ekspertëve.
Përvoja tregon se rritja e efikasitetit mësimor dhe rritja e cilësisë në mësim arrihet permes ndryshimit të punës mësimore dhe menaxhimit të kapaciteteve intelektuale të mësuesit se sa me aplikimin e teknologjive të reja.
Mendoj se investimet në kërkime për ngritjen e cilësisë në mësim sjellin rritje të efikasitetit arsimor, rritje të konkurrencës, modernizimin e procesit të mësimdhënies etj.
Ndryshe, një nga argumentet kryesore në favor të zbatimit të kërkimeve natyraliste është përmirësimi i efikasitetit mësimor, është roli i tyre në ngritjen e cilësisë dhe metodat bashkëkohore dhe mbi të gjitha njohja e fshehtësive të nxënësit në situatë konkrete veprimi e mësimi.
Numri më i madh i faktorëve potencialisht të rëndësishëm gjatë kërkimeve natyraliste e bën të vështirë për të kuptuar se cilët janë faktorët që shkaktojnë situata të ndryshme si reagime, veprime, sjellje të nxënësve. Bazuar në kushte e faktor, në situata e reagime, mësuesi duhet të menaxhon projektin e kërkimit. Menaxhimi i këtillë përfshinë elementet vijuese:
– menaxhimin e infrastrukturës ku realizohen kërkimet;
– menaxhimi i situatave me të cilat përballet gjatë kërkimit;
– përdorimin e teknologjisë;
– aplikimin e instrumenteve kërkimore;
– menaxhimin e orëve dhe aktiviteteve të shumta duke vëzhguar dhe duke mësuar dhe
– evidentimin e veçorive të sjelljes së nxënësve gjatë kërkimit.
Parë në këtë prizëm, me një menaxhim më të kujdesshëm të kërkimit, mund të zbulohen problemet kryesore ku është e domosdoshme ndërhyrja e mësuesit për të ndikuar pozitivisht në rrjedhën e zhvillimit, gjendjen emocionale, sjelljen dhe veprimet e nxënësit.
Menaxhimi i mirë kontribuon në përsosjen e kërkimit në terren.
Mësuesit duhet të kenë një guxim më të madh që të barten dhe realizojnë projekte kërkimore në shkollë, megjithatë ata ngecin shumë. Nevojitet më shumë të punohet në aftësimin e tyre për kërkime natyraliste Kërkimet në shkollë duhet të shikohen në këndëvështrimin e përparimit të mësimit dhe zbatimin e qasjeve e praktikave të reja në edukim.
Vlerësoj se procesi i kërkimit në shkollë favorizon transformimet e shkollës, transformimin e mësimdhënies, bashkëkohësimin e programeve dhe ajo kërkon një mbështetje më të madhe nga mësuesit, ekspertët, nga financat, nga autoritet shkencore. Për këtë arsye ka ardhur koha që ne tu japim vendin që meritojnë kërkimet në shkollë, në institucione, në shoqëri.
Aplikimi i kërkimeve natyraliste në shkollë kërkon menaxhim dhe financim qenësor. Vendimi për kërkime të këtilla nuk është aspak i lehtë për shkak se kërkon edhe njerëz të angazhuar për këtë problematikë në vetë shkollën, si dhe kërkon një ridefinim të proceseve të punës mësimore.
Financimi i kërkimeve në përgjithsi dhe kërkimeve natyraliste në veçanti është më se i arsyeshëm. Mendoj se në nivel shkolle duhet të ekzistoj mbështetje financiare përmes një fondi – buxheti për qëllime kërkimore. Buxheti i tillë ka për qëllim stimulimin shtesë të mësuesve për përparimin e nxënësve dhe procesit mësimor. Megjithatë, pavarësisht nevojës, në praktikë mungon politika e qëlluar për financimin e kërkimeve.
Cdo kërkim hedh dritë në afirmimin e vlerave mësimore, ngritjen e cilësisë dhe modernizimin e mësimdhënies. Për këtë arsye mësuesit kanë nevojë për këshillime dhe trajnime për organizim të kërkimeve, arsim plotësues metodologjik dhe ndihmë konkrete gjatë realizimit të kërkimeve.
Në këtë kuadër nuk është e vështirë të gjykohet për rëndësinë dhe vlerën e menaxhimit të kërkimeve natyraliste. Sidomos në rrethana e kushte të ndryshme ku realizohen kërkimet. Sa më i drejt dhe i realt të jetë menaxhimi i kërkimit, aq më korrekt dhe objektiv do të jetë edhe gjykimi i mësuesit apo studiuesit për rezultatet nga kërkimi dhe dobinë nga to.
Opinione Menaxhimi i kërkimit, sfidë kryesore e mësuesit