Kuadrot në MPB, ministri kompleton ndryshimet e planifikuara

Ka filluar tashmë procedura për ndryshimin e kuadrove në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të iniciuara nga ministri teknik Naqe Çulev. Jozyrtarisht mësohet se ministri teknik tashmë ka kompletuar numrin prej 15 ndryshimeve që planifikon t’i realizojë. Në opinion qarkullojnë emra të mundshëm të cilët eventualisht do të vendosen në krye të Sektorëve në MPB, megjithatë, ata mbeten në kuadër të spekulimeve deri sa institucioni kompetent nuk i konfirmon. Nëse janë të njoftuar me emrat eventual që do të vendosen në pozita kyçe në MPB, nuk konfirmojnë as nga LSDM-ja dhe as nga VMRO-DPMNE-ja.

Për aq kohë sa kjo nuk zyrtarizohet nga ministria kompetente, nga Ministria e Brendshme, nuk është parimore që ne nga partia t’i komunikojmë dhe të debatojmë për propozimet në MPB”-pohoi Kostadin Kostadinovski, zëdhënës i LSDM-së.

Nuk i kam informacionet dhe ata do të publikohen atëherë kur të arrihet marrëveshje për ndërrimin e tyre, në pajtim me normat ligjore që përcaktojnë se sa drejtues sektorësh në Ministrinë e Punëve të Brendshme mund të ndryshohen”-tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Siç mëson Alsat, do të ndryshohen krerët e tetë Sektorëve për Punëve të Brendshme, Njësiti për ndërhyrje policore, Kontrolli i Brendshëm, Krimi i organizuar, Njësiti special “Tigrat”, Departamenti për operacione speciale, Departamenti i policisë në Prilep dhe Qendra për informatikë dhe siguri informatike. Emërimet e reja në disa prej këtyre sektorëve mund të jenë pjesë e marrëveshjeve të fshehta mes VMRO-DPMNE-së disa nga partitë politike shqiptare. Alsat mëson se të këtillë janë SPB-ja në Kumanovë dhe ajo në Tetovë. Këto 15 ndryshime, ministrit teknik ja mundëson Ligji për Qeverinë kurse ky dikaster konsiderohet si më i rëndësishmi në organizimin e zgjedhjeve. Për të gjitha ndryshimet eventuale, shkarkimet dhe emërimet, i patjetërsueshëm është edhe nënshkrimi i zëvendësministres plotësuese të propozuar nga LSDM-ja, Slavjanka Petrovska. Ajo ka deklaruar se do të komentojë propozimet e ministrit pasi emrat të zyrtarizohen dhe shqyrtohen.