Pas gati dy viteve promovim dhe shumë vonesave, zvarritjeve procedurale dhe heshtjeve nga institucionet, Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat më në fund është publikuar në ueb-faqen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.
Propozim-ligji i cili u miratua nga Qeveria më 7 prill tani më ka arritur në Kuvend dhe ndodhet në lexim të parë.
Në ueb-faqen e Kuvendit thuhet se ligji është pranuar më 8 maj 2026 ndërsa propozues është Bekim Sali, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Te qëllimet e ligjit, konkretisht te Neni 3 thuhet se ky ligj siguron qasje të barabartë në punësim dhe avancim në vendin e punës, pjesëmarrje dhe përfaqësim të qytetarëve në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, si dhe nxit gjithëpërfshirjen dhe forcon kohezionin social përmes përcaktimit të mekanizmave institucionalë dhe proceduralë.
Si pritet të rregullohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat?
Neni 6 thotë:
11) Çdo qytetar ka të drejtë të deklarohet lirisht për përkatësinë e tij ndaj cilit do komunitet në shtet. Kjo e drejtë ushtrohet individualisht ose së bashku me qytetarë të tjerë që i përkasin të njëjtit ose një komuniteti tjetër, pa asnjë lloj detyrimi apo presioni.
(2) Deklarimi i përkatësisë etnike është vullnetar.
(3) Qytetari ka të drejtë të mos deklarohet për përkatësinë ndaj asnjë komuniteti. Mosdeklarimi i qytetarit nuk mund të ndikojë në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të tij, as në pozitën e tij në shtet.
(4) Deklarimi i lirë i përkatësisë së qytetarëve mund të kushtëzohet me kritere objektive, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve përmes deklarimit arbitrar.
(5) Për qëllime të parandalimit të keqpërdorimit të deklarimit arbitrar, sipas paragrafit 4 të këtij neni, si kritere objektive konsiderohen dokumentet personale të qytetarëve, përkatësisht emri personal i shënuar në letërnjoftim ose në ndonjë dokument tjetër publik të lëshuar nga organi kompetent në përputhje me ligjin.
(6) Në rast të konstatimit të keqpërdorimit, do të merret vendim për refuzimin e atij aplikimi dhe kandidati nuk mund të aplikojë në shpallje për një periudhë prej 3 (tre) muajsh.
(7) Kundër vendimit nga paragrafi 6 i këtij neni, kandidati ka të drejtë ankese pranë organit të shkallës së dytë nëse kjo është e parashikuar me ligj, përkatësisht të drejtë padie në gjykatën kompetente, brenda afateve të përcaktuara me ligj, nëse ankesa nuk lejohet.
Neni 9:
(1) Për ndjekjen e gjendjes dhe avancimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, formohet Trupi Koordinues për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat pranë Qeverisë (në tekstin e mëtejmë: Trupi koordinues).
(2) Trupi Koordinues funksionon në bashkëpunim me Agjencinë për Administratë (në tekstin e mëtejmë: Agjencia).
(3) Përbërja e Trupit Koordinues përcaktohet nga Qeveria. Trupi udhëhiqet nga zëvendëskryeministri, ndërsa anëtarë janë edhe ministri përgjegjës për administratën publike, ministri përgjegjës për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, ministri përgjegjës për financat, ministri përgjegjës për qeverisjen e mirë, drejtori i Agjencisë, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryetari i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, dy profesorë universitarë dhe një përfaqësues nga sektori civil.
(4) Organizimi dhe puna e Trupit Koordinues rregullohen me akt të propozuar nga Trupi Koordinues dhe të miratuar nga Qeveria.
(5) Trupi Koordinues mund, me iniciativën e vet ose me propozim të një institucioni kompetent, të propozojë rishikimin e politikave, programeve dhe planeve për punësim dhe avancim në sektorin publik, me qëllim përmirësimin e përfaqësimit.
(6) Trupi Koordinues monitoron dhe vlerëson zbatimin e të drejtave të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve, si dhe gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në sektorin publik. Në bazë të kësaj, ai propozon masa për përmirësimin e barazisë, gjithëpërfshirjes dhe efikasitetit të administratës publike.
Neni 14:
(1) Zbatimi i këtij ligji i nënshtrohet vlerësimit, i cili kryhet nga Trupi Koordinues jo më vonë se pesë vjet nga dita e hyrjes së tij në fuqi.
(2) Në bazë të vlerësimit, Qeveria mund të propozojë ndryshimin, plotësimin, kufizimin ose shfuqizimin e masave të veçanta, nëse konstatohet se objektivat e barazisë efektive janë arritur ose se masat nuk janë më proporcionale.
Ky është propozim-ligji i plotë.
Portalb.mk paraprakisht disa herë e ka kërkuar këtë propozim-ligj si dokument, por nga Qeveria nuk na e kanë dërguar.
Sipas koalicionit VLEN në pushtet kjo zgjidhje ligjore do të ketë zbatim të mirë në praktikë për përfaqësim më të mirë dhe adekuat në administratën shtetërore.
Megjithatë, ky ligj sipas opozitares BDI nuk është i formuluar mirë dhe nuk duhet të miratohet, pasi nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi do të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.



