Një ish-zëvendësministër polak, i kërkuar me akuza për keqpërdorim të fondeve publike, mund të jetë larguar nga Hungaria nëpërmjet Serbisë, ka thënë kryeministri hungarez, Peter Magyar, në një intervistë për televizionin polak, TVN24.
Magyar është në Poloni për një vizitë dy-ditore, e para jashtë vendit pas marrjes së postit të kryeministrit.
Ish-ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro dhe zëvendësi i tij Marcin Romanowski, për të cilët prokurorët thonë se keqpërdorën para nga një fond i krijuar për të ndihmuar viktimat e krimit duke shënjestruan kundërshtarët politikë me spiunazh, kishin marrë azil në Hungari nga paraardhësi i Magyarit, Viktor Orban.
Ziobro është në Shtetet e Bashkuara, ku sipas burimeve të Reutersit, zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau, udhëzoi zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit që të lehtësonin dhe miratonin një vizë për të.
Megjithatë, vendndodhja e Romanowskit mbetet e paqartë.
“Nga sa kam kuptuar Ziobro është larguar përmes Zonës Shengen rreth një ditë para inaugurimit tim”, ka deklaruar Magyar.
“Sapo fola me kolegët e mi dhe… ka shenja se edhe z. Romanowski u largua përmes Serbisë, por ky informacion nuk është konfirmuar ende.”
Ministria e Jashtme serbe nuk është deklaruar për këtë çështje.
Gjatë ditës, Magyar do të takohet me kryeministrin polak, Donald Tusk dhe presidentin Karol Nawrocki në Varshavë. Magyar dhe Tusk do të udhëtojnë më pas në qytetin portual të Gdanskut, ku do të takohen me ish-presidentin dhe laureatin e Çmimit Nobel për Paqe, Lech Walesa.
Varshava planifikon t’i ofrojë Budapestit qasje në gazin e lëngshëm amerikan nëpërmjet një terminali të ri në Gdansk, i cili do të fillojë operacionet në vitin 2028. Rafineria polake Orlen, tanimë i shet Ukrainës gazin amerikan.



