Me Kurtin kryeministër vjen njohja reciproke, Serbia e ka kuptuar se nuk ka zgjidhje tjetër

Në 10-vjetorin e nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel, Bashkimi Evropian ka thënë se ky proces ka sjellë ndryshime të qarta për qytetarët në Kosovë dhe rajon.

Por, zëdhënësi i bllokut evropian Peter Stano, ka thënë se tani ka ardhur koha që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ai ka rikujtuar edhe vizitën e përfaqësuesit të posaçëm për dialog Miroslav Lajçak në rajonin e Ballkanit javën e kaluar, për të parë se si e shohin palët dialogun dhe vazhdimin e tij.

“Pati pajtim të plotë se dialogu nuk ka alternativë dhe se ai duhet të vazhdojë. Qëllimi i dialogut ishte që t’i afrojë palët drejt të ardhmes evropiane. Pra, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën, të ketë përparim në rrugën e tyre evropiane. Rruga evropiane shkon përmes dialogut”, ka thënë mes tjerash Stano.

Por, a po hyn dialogu në fazën përfundimtare dhe sa ka mundësi që brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2, të kemi një marrëveshje përfundimtare, me njohje reciproke?

Me Kurtin kryeministër do të kemi njohjen nga Serbia

Lidhur me këtë njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Kosova karshi dialogut është për fqinjësi të mirë dhe se ka qëndrim më të qartë, të drejtë dhe paqësor, meqë rast edhe Vuçiç e ka kuptuar se zgjidhja e vetme është njohja e Kosovës.

“Mendoj se Kosova është në pozitë të hapur karshi dialogut si një prioritet i politikës së jashtme për fqinjësi të mirë. Veçanërisht pas rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë ku sovrani nuk mbështeti më mendësinë e vjetër politike në Kosovë, dinamika e dialogut ka ndërruar kahje dhe natyrisht që edhe rezultati i tij është më i parashikueshëm. Kosova tani ka qëndrim shumë më të qartë, unifikues, rigoroz, të drejtë dhe paqësor, përball të cilit A. Vuçiç ndoshta e ka kuptuar saktësisht se zgjidhja e vetme është njohja e Kosovës për të normalizuar pastaj marrëdhëniet me atë sepse kjo është e vetmja rrugë për stabilitet dhe paqe afatgjate në rajon”, ka thënë ai.

Sipas tij, po hymë në fazën e favorshme për Kosovën dhe Serbinë dhe se me Kurtin kryeministër, do të kemi edhe njohjen sepse Serbia tani nuk ka hapësirë për pazarllëqe por e vetmja rrugë e saj është njohja e Kosovës.

“Se a po hyjmë në fazë finale të dialogut nuk mund të parashikohet por mund të them se po hyjmë në një fazë shumë të favorshme si për Kosovën ashtu dhe për Serbinë meqë edhe kjo e fundit tashmë e ka të qartë se çelësi i zhvillimit të saj politik, ekonomik dhe integrues është njohja reciproke me Kosovën. Ndërsa sa i përket çështjes se a do të kemi njohje nga Serbia me A. Kurti kryeministër, e them se do të kemi njohje sepse tani Serbia e ka shumë të sigurt se nuk ka hapësirë për pazarllëqe dhe se e vetmja rrugë e saj për zhvillim dhe integrim në BE është pikërisht njohja reciproke me Kosovën si fillim i normalizimit të marrëdhënieve si dy shtete fqinje që aspirojnë të përqafojnë dhe të integrohen në vlerat e demokracisë perëndimore”, ka deklaruar Mirsad Voca për gazetën “Bota sot”.

Të formohet një Gjykatë Speciale për krimet serbe në Kosovë

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi ka thënë se njohja nga Serbia varet nga shumë faktorë, që sipas Kelmendit duhet të jetë ose ndarja ose Asociacioni serb, por edhe ndarja e Mitrovicës dhe Ujmanit që e dëmtojnë Kosovën. Madje, ai ka përmendur edhe Medvegjën dhe Preshevën, që pa to Kosova nuk mund të jetë komplet një Kosovë Lindore.

“Se si dhe a do ta njoh Serbia Kosovën është një çështje që do të varet nga shumë faktor të ndryshëm. Kjo do të thotë se para njohje pa e dëmtuar Kosovën nuk shkon Serbia te njohja. Këtu vjen në shprehje ose ndarja ose Asociacioni serb. Të dy këto janë shkatërrim për Republikën. Ndarja e Kosovës, ku ndahet Mitrovica, Trepça dhe Ujmani është akt që e dëmtojnë tërë territorin. Nuk mund të kuptohet Kosova pa ato pjesë. Në anën tjetër, Kosova Lindore pa komplet Medvegjën, Bujnovcin dhe Preshevën nuk është Kosovë Lindore. Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë, qoftë sipas marrëveshjes së vitit 2013, qoftë sipas asaj të vitit 2015, e cila është anuluar nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është shkatërrimtare për Kosovën. Çështja tjetër është dëmshpërblimi”, është shprehur Kelmendi.

Më tej, ai ka theksuar se duhet të formohet një Gjykatë Speciale për krimet serbe në Kosovë, madje nuk duhet të kalohet çështja e dëmshpërblimit, por edhe përgjegjësia penale për gjenocidin në Kosovë, pasi sipas tij, dialogun e rëndon edhe çështja e të zhdukurve.

“Kosova nuk duhet të kalojë çështjen pa dëmshpërblim të bërë nga Serbia ndaj Kosovës. Por, ka që e rëndësishme është përgjegjësia penale për gjenocidin serbomadh në Kosovë. Për këtë duhet domosdo të kërkohet nga UE-të dhe SHBA-të të formohet një Gjykatë Speciale për krimet serbe në Kosovë. Dialogun e rëndon edhe çështja e të vrarëve dhe të zhdukurve shqiptarë të bërë nga Serbia. Janë edhe 1600 veta të humbur. Ata domosdo duhet të gjinden. Edhe çështja e pensioneve të grabitura dhe e mjeteve financiare duhet të shqyrtohet shuma e kalon shifrën prej 2 miliardë euro”, ka shtuar profesori.

Kelemendi tutje ka thënë se Kosova ndaj Serbisë nuk ka se çka bënë kompromis sepse minioriteti serb është minioritet me të drejta por që e përdor për ripushtim. Ai thotë se Kosova ka pjesën Lindore, por e gjitha do të jetë e varur nga Rusia dhe Kina.

“I theksova disa fakte që e rëndojnë gjendjen dhe përkundër presionit nuk mendoj se brenda një kohe të shkurtër mund të tejkalohen. Kundërthëniet janë të mëdha dhe të thella. Ato shkojnë deri atje sa Serbia do ripushtimin e Kosovës. Zakonisht ndaj Serbisë nuk ka Kosova çka bënë kompromis. Minoriteti serb është super minoritet me të drejta. Serbia këtë e dinë. Mirëpo, e përdorë atë për ripushtim. Në këtë kuadër kërkohet të futet domosdo reciprocitetit me Serbinë. Kosova e ka Kosovën Lindore, atë territor dhe popull nuk duhet tejkaluar dhe injoruar. Por, e gjitha varet nga niveli i presionit dhe pozita që do të merr Rusia dhe Kina. Sa do të përkrahin këto shtete Serbinë dhe si Serbia do të sillet ndaj tyre. Kemi kështu shumë faktor që ndikojnë dhe prej tyre varet dialogu me shtetin serb”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.