Me deklarata të dëshmitarëve vazhdon gjykimi për zjarrin në “Puls”

Gjykimi për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan, vazhdon sot në sallën e gjyqit në burgun e Idrizovës, me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

Procesi ndodhet në fazën e paraqitjes së provave. Një ekip prej 15 prokurorësh publikë po prezanton dëshmitë dhe provat e tyre para gjykatës. Në seancën e kaluar, mbrojtja e të pandehurit kryesor, pronarit të diskotekës Dejan Jovanov-Deko, kërkoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak, duke u thirrur në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.

Deri më tani kanë dëshmuar disa persona të lidhur drejtpërdrejt me ngjarjen. Mes tyre janë Ana Zaharieva, e cila ndodhej në diskotekë natën e tragjedisë, si dhe Aleksandar Josifov, ish-sekretar i përgjithshëm i Komunës së Koçanit në periudhën 2017–2021, gjatë mandatit të kryetarit të atëhershëm Nikolço Iliev. Para gjykatës ka dëshmuar edhe Dragan Ananiev, punonjës i komunës.

Zjarri shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNA dhe konsiderohet një nga fatkeqësitë më të rënda në historinë e fundit të Maqedonisë së Veriut. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive për këtë tragjedi që tronditi opinionin publik.