Iskra Haxhi Vasileva sot zyrtarisht merr detyrën e drejtueses së Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJO GOKK), duke pasuar Islam Abazin.
Dorëzimi i detyrës do të bëhet në ambientet e Prokurorisë, ndërsa pas ceremonisë është paraparë edhe një takim me kryeprokurorin publik Nenad Saveski.
Haxhi Vasileva u zgjodh në këtë pozitë më 28 tetor, kur mori 64 vota nga gjithsej 171 fletëvotime të vlefshme. Në garë morën pjesë edhe prokurorët Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq dhe Jovan Cvetanovski.
Pas betimit para Këshillit të Prokurorëve Publikë, ajo deklaroi se prioritetet e saj do të jenë ndjekja më efikase penale, organizimi më i mirë i punës dhe shfrytëzimi maksimal i kapaciteteve ekzistuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ajo paralajmëroi gjithashtu angazhim për sigurimin e burimeve shtesë, me synim rritjen e efikasitetit të institucionit.
Mandati i drejtuesit paraprak, Islam Abazi, përfundoi pas katër vjetësh në këtë funksion.



