Mbrojtësit të Leipzigut iu rrotullua gjuha dhe mbeti pa vetëdije kundër Tottenhamit

Tifozët e Leipzigut nuk arritën ta shijojnë në maksimum kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas fitores kundër Tottenhamit të Jose Mourinhos, pasi që mbrojtësi Nordi Mukiele mbeti pa vetëdije dhe iu rrotullua gjuha.

22-vjeçari Nordi Mukiele e pësoi rëndë pasi u godit në nofull nga topi i harkuar në zonë në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes kthyese kundër Tottenhamit në 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Bashkëlojtarët e shqetësuar e rrethuan mbrojtësin, i cili qëndronte i shtrirë dhe nuk lëvizte pasi që iu ishte rrotulluar gjuha.

Stafi mjekësor hyri menjëherë në fushë për ta trajtuar yllin e Leipzigut, përderisa ndeshja u ndalua dhe Mukiele u zëvendësua nga Tyler Adams dhe u dërgua menjëherë në spital.

Pas përfundimit të ndeshjes, të cilët Leipzigu e dominoi dhe e fitoi me rezultat 3:0, i riu e postoi një fotografi të veten në rrjete sociale për t’i siguruar tifozët se ishte në gjendje të mirë.

“Pak frikë, por kujt i intereson?! Rëndësia është diku tjetër… kualifikim historik dhe një ndjenjë e mrekullueshme. Faleminderit shumë për përkrahjen”, shkroi Mukiele.

Para incidentit, Mukiele kishte qenë mbresëlënës. Ai kishte pasur sukses në katër nga po aq tentimet e tij për ndërhyrje të sakta dhe i fitoi pesë nga gjashtë duelet ajrore me kundërshtarë, pa shkaktuar asnjë gjuajtje të lirë për Tottenhamin. /Gazeta Express/