LeBron James ndërron mendje, sqaron deklaratën lidhur me koronavirusin

Ylli i Los Angeles Lakers, LeBron James, ka ndërruar mendje sa i përket zhvillimit të ndeshjeve të NBA pa tifozë të pranishëm nëpër arena, duke thënë se nuk kishte qenë i vetëdijshëm që ky opsion po diskutohej shkaku i koronavirusit.

Të premten e kaluar, NBA u dërgoi udhëzime të gjitha klubeve që të përgatiten në raste se bëhet e nevojshme që ndeshjet të luhen pa tifozë e gazetarë të pranishëm, ashtu siç ka ndodhur me shumë liga të sporteve të ndryshme në Evropë.

Në këtë udhëzim u përshkruan edhe shumë veprime që skuadrat mund të kenë nevojë t’i ndërmarrin nëse bëhet e nevojshme që ndeshjet të zhvillohet me praninë e vetëm stafit esencial.

Kur James ishte pyetur fillimisht për këtë mundësi, ai kishte thënë se do të ishte e pamundur të zhvilloheshin ndeshjet prapa dyerve të mbyllura, pasi që tha se ai luan për tifozët.

Megjithatë, më pak se një javë me vonë, ylli i Lakers e ka pranuar se ai s’kishte qenë i vetëdijshëm se po bëhej fjalë për koronavirusit dhe tha se e kupton që ndeshjet mund të duhet të zhvillohen pa tifozë.

“Epo, është qesharake, sepse kur m’u bë ajo pyetje – a do të luaje pa tifozë – unë s’e kisha as idenë më të vogël se ishte bërë temë zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë shkaku i koronavirusit”, tha James.

“Natyrisht që do të isha shumë i zhgënjyer që s’do t’i kishim tifozët sepse unë luaj për ta. Unë luaj për familjen time dhe për tifozët e mi. Ata po thonë se askush nuk mund të vijë në ndeshje nëse puna vjen deri në atë pikë”.

“Kështu që natyrisht se do të isha i zhgënjyer. Por, në të njëjtën kohë, ne duhet t’i dëgjojmë njerëzit të cilët janë të informuar për ato që ndodhin. Nëse ata mendojnë se kjo është më e mira për shëndetin e lojtarëve, sigurinë e klubeve dhe ligës, ne do t’i dëgjojmë”.