Mbresa arti për piktorin e diasporës, Vesel Xhaferi: Nga pika drejt pykës artistike në pikturë!

Mbresa arti
Fadil Curri
Vesel Xhaferi Çeliku (1955) është mërgimtar shqiptar nga Cërvica e Kërçovës në Zvicër. Atje pati veprimtari krijuese tejet të frytshme. Njihet autor i dy përmbledhjeve poetike “Venela” (I-II) dhe i dramës “Era e gjakut” për heroinën shqiptare të kësaj ane, Sulltanë Qafa. Është autor i eskpozuar në disa galeri artistike me pikturat e tij tejet joshëse për vizituesit. Vesel Xhareri është pjesëmarrës në shumë orë letrare, jo rrallë edhe i veçuar me mirënjohje e falenderime nga organizatorët. Është i njjohur si mjeshtër tejet i përkushtimtë i fotografisë nga ritet popullore, dasma, veshje kombëtare shqiptare, organizime kulturore, portrete krijuesish letrarë, qethja e dhenëve, zbulime dokësore e nëntokësore sidomos të rrethit të Kërçovës.
Shkas që më frymëzoi të shkruaj është piktura e tij që e kisha në një faqe muri të shtëpisë sime. Disa herë i kthehem kësaj vepre artistike, sepse e kam vënë në një vend ku domosdoshmërisht më bie në sy sa herë e dal nga shtëpia, aty ku edhe miqtë e dashamirët e shohin. Kësisoj më kujtohen edhe piktura të tjera të tij dhe vet autori, mjeshti i pikturës.
Gjuha e të shprehurit pikturor në këtë vepër është se gjithçka nis nga pika e hetueshme nga afër, por që nëse nuk e sodit mbërthyeshëm e përkushtimthi, nuk e vëren se pikat si harmoni formojnë figura, e figuat bashkëjetesë artistike në tabllonë. Ta shikosh këtë, nuk mund ta kuptosh fshehtësinë e krijimit nëse nuk e kundron herë nga afër e herë nga larg, sepse në të dyja gjendjet sikur dalin veçori imazhi e porosi objektivi të autorit.
Piktura e Vesel Xhaferit, letraisht shikuar, i ngjan një poeme-baladë me heronj-shenjtorë që luftojnë për të bukurën e shpirtmirën njerëzore, për të ruajtur ngjyrat e shtegtimet e tyre si ngërthim i njësive, këndeve, skutave e përbërësve fabulorë. E gjelbra dhe e kaltra përbëjnë koloritin e shëndetshëm të florës e të faunës brenda saj, njerëzit, shpezët e bimët.
Pikat gati simetrike, në shikim të parë duken të gjeometrizuara matematikisht, por në thelb janë me natyrshmëri e rëndomësi, edhe kur duken një e që brenda saj dalin disa njerëz, ose njeri në njeri, që simbolizon afërsinë e njëjtësinë, atësinë identike të tjetrit nga e njëjta racë e krijuar hyjnisht. Nëse pikat janë nistore të epit lirik në pikturë, vërehet pyka ku rrahin ato dhe që është qëllimi i autorit brenda imazhit të pikturës të rrëfehet paqja e bukuria e elementeve të përshfaqura brenda saj, si njeriu, shpendi, toka, pema, bima, qielli, e veçanta e së tjetrës reciproke pa tjetërsim, ruajtjes se origjinalitetit në shtegtim jo vetëm artistik brenda kornizës pikturore të Vesel Xhaferit. Ngase herë duket se është pemë e brenda saj venerohet profili i njeriut, qoftë si hije a nëntekst stili të të shprehurit, herë duket një njeri, e brenda tij komunikon tjetri ose një botë njerëzish. Arti i kësaj pikture rrezaton paqen stilistike të krijimit të baladave e miteve në trikohësinë utilitare, prore me mëtim autori nga e mira e njeriut të djeshëm deri te njeriu i sotëm, përmes tyre edhe ai i ardhshëm. Hyjnorja tematizuese prehet në gjithësinë e ëndërruar për njeriun njeri. Edhe “personazhet” pikturore janë ledhatarë, shpirtbutë, pa egërsi shpirtërore, të përulur ndaj besimit te krijuesi i të mirave, si rrëfen në pikturë Vesel Xhaferi..
Arti dhe shpërndarja e tij nuk e ka kuptimin e mirëfilltë nëse nuk përjetohet nga tjetri, nëse nuk shijohet përqëndrimthi, nëse nuk bisedohet me tjetrin në ambientin jetësor familjar, kolegial, publik sa më shumë, nëse nuk përbotësohet përshtypja e tjetrit te tjetri tjetër ndaj veprës artistike. Bie fjala, shumë libra u dhurohen njerëzve nga shkrimtarët, shumë disqe filmash nga regjisorët, CD muzikore nga kompozitorët e këngëtarët, incizime teatrore, katalogje ekspozitash e vepra artistike; piktura, skulptura, dizajne, krijime, por që ngujohen diku dhe as nga marrësi i tyre nuk shprehet joshja, bota e kënaqësisë, përjetimi ndaj veprës.
“Nuk e ban çirak” autorin nëse shkruan për veprën, si unë ndaj piktorit Vesel Xhareri, por sensibilizohet së paku rrethi kultuor, me të pastaj edhe vegjëlia, si do ta quante popullin Noli i madh. Mund edhe t’ia huqësh gjatë shfaqjes së përshtypjeve për një vepër kulturore, ashtu si mund ta kisha bërë edhe unë ndaj pikturës e opusit të Vesel Xhaferit, por mëkati i tillë do të ishte më i vogël se ta heshtësh e të mos e bësh të njohur te të tjerët.