Mbështetje psikologjike për menaxhim psikoemocional të pandemisë Covid 19

Kur një ngjarje e madhe prek një vend,krijohet një ambient ku individi dhe shoqëria kanë një ndjeshmëri të lartë. Një ngjarje e tillë kritike dhe një situate si pandemia e Coronavirusit mund të shkaktojnë reagime emocionale shumë të forta, të cilat mund të ndikojnë në kapacitetin funksional të njerëzve si përgjatë ngjarjes po ashtu edhe pas saj.
Sa herë që ne përballemi me një situatë/ngjarje të vështirë siç mund të jetë dhe situata aktuale nga pandemia e COVID-19, ne hasemi në shtrembërime mendore kognitive ose përgjithësime negative të papërshtatshme, të cilat nuk na shërbejnë për të mirë.
Ne mund ta teprojmë me reagimin dhe frikën që mund të kemi, mund t’i zmadhojmë gjërat dhe më shumë se janë, kapemi pas tyre, dëgjojmë vetëm për to dhe përqendrohemi vetëm në aspektet negative të tyre. Jo kot themi se nuk është nevoja ta stërmundojmë veten, të dëgjojmë lajmet gjatë gjithë ditës dhe kështu të kontribuojmë në ankth të shtuar ndaj vetës dhe të ndjehemi me stres, kjo mund të ndikoj negativisht tek ne dhe në sistemin tonë imunitar.
Ajo se çfarë duhet është të pranojmë me qetësi dhe realizëm këtë situatë e cila duhet të filloj nga ne me kujdes ndaj vetës e të tjerëve, duke mos i zmadhuar gjërat por duke i kuptuar racionalisht ato, të kemi vëmendjen tek vetja, të luftojmë frikën dhe të ndjekim masat e parapara.
Ndërgjegjësimi për situatën është tejet i rëndësishëm. Duhet punuar në këtë pikë, kjo shpie në një proces më të mirë pozitiv të të menduarit, kuptuarit, pranuarit dhe menaxhuarit më mirë këtë gjendje në të cilën të gjithë gjendemi pa përjashtim.
Duke pasur parasysh situatën e krijuar edhe në Tetovë, ku qytetarët janë gjithnjë e më shumë nën ndikimin e lajme negative që vijnë nga mediat në lidhje me virusin COVID-19, ku si pasoj kemi rritjen e nivelit të stresit dhe ankthit tek njerëzit e cila shpie drejt manifestimit të sulmeve të panikut prandaj gjithnjë e më shumë njerëz në këtë periudh kanë nevojë për mbështetje psikologjike! Ne si specialistë të psikologjisë, këshillimit dhe psikoterapisë duke e ditur rëndësinë e shëndetit mental në situata krize dhe duke besuar në ndërgjejgjen dhe përgjegjësinë kolektive e cila din të tregojë forcën dhe adaptimin kreativ në situata të vështira na jep shpresë se gjithçka do të bëhet mirë dhe bashkë do ja dalim.
Shoqata e Psikologëve, Këshilluesve dhe Psikoterapeuteve “CORTEX” Tetovë, me rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme të Pandemiës COVID 19, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës ofron platformën për mbështetjen psikologjike të qytetarëve të Komunës së Tetovës!
Në këtë aksion do përfshihet vullnetarisht stafi i CORTEX-it, i përbërë nga Psikologë, Këshillues dhe Psikoterapeut, të cilët do jenë në dispozicion të qytetarëve nga distanca duke ju ofruar terapi online edhe atë për fëmijë, adoleshent dhe të rritur,në gjuhën shqipe dhe maqedone.
VINI RE:Koha e ofrimit të shërbimeve psikologjike do të jetë në ditë të caktuara, dmth., 4 ditë në javë në dispozicion të qytetarëve do jenë psikologet e Qendrës CORTEX.
Fillimisht na shkruani tek faqja jonë në mesenger për të lënë një termin për seansë online.

Shërbimet psikologjike do ti ofrojnë :
Mr.SEMA Halili; Psikologe/ Psikoterapute, (Terapi individuale për të rritur ) +38970409730
BILJANA Radiceska; Psikologe/Psikoterapeute (Terapi individuale për adoleshent dhe të rritur) +38972309271
Mr.NEBAHAT Imeri; Psikologe/Këshilluese(Terapi individuale me adoleshent) 071979974
MAJLINDA Abazi; Psikologe/Këshilluese (Terapi grupore dhe individuale me fëmijë) +38977394421

REKOMANDIME PËR TË RRITUR
Zgjidhni dy momente në ditë për t’u përditësuar me lajmet. Ekspozimi i zgjatur ndaj sasisë së lajmeve që mund të gjeni në Internet, Radio dhe TV e mban sistemin e paralajmërimit dhe frikës vazhdimisht aktiv dhe kjo nuk na bën mirë sa i përket shëndetit tonë mental dhe fizik.
– Informacioni është i rëndësishëm. Preferoni burimet zyrtare të informacionit: OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), ECDC (Qëndra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) dhe institucionet shtetërore dhe lokale të vendit tuaj.
-Ndiqni praktika të mira të higjenës të udhëzuara nga institucionet dhe sistemi i shëndetësisë në vendin tuaj.
– Ju mund të ndjeni frikë ose shqetesim: ky është një reagim normal. Ne dimë që të flasësh për emocionet të ndihmon të ndihesh më mirë.
– Kur është e mundur, vazhdoni të ruani rutinën tuaj të zakonshme, duke respektuar rregullat e udhëzuara për komunitetin tuaj.
– Ruani një regjim të rregullt të gjumit sa më shumë të jetë e mundur.
– Kujtoni që zakonet e mira u ndihmojnë juve dhe komunitetin tuaj.
– Ndonjëherë, ju mund të përjetoni vështirësi në përqëndrim dhe në marrjen e vendimeve, kjo është një pasojë normale e stresit.
– Ruani komunikimin me njerëzit që ju bëjnë të ndiheni mirë, kjo ju ndihmon në pastrimin e mendjes dhe në qetësimin e frikës.

REKOMANDIME SE SI TË BISEDONI ME FËMIJËT:
– Bisedoni me ta dhe tregoni të vërtetën me fjalë të thjeshta.
– Përdorni imazhe dhe informacione të përshtatshme. Përcaktoni një moment të ditës ku të merrni bashkë informacione duke u siguruar që përmbajtja e tij të jetë e sigurt dhe lehtësisht e kuptueshme.
– Bëni që fëmijët të ndjejnë dashuri dhe siguri dhe jepuni atyre vëmendje.
– Lejoni fëmijët të ruajnë zakone pozitive siç është loja.
– Tregohuni fëmijëve që shumë ekspertë të përgatitur (mjekët, infermierët, policët) janë vazhdimisht duke punuar që të rivendosin sigurinë dhe të ndihmojnë njerëzit që janë të sëmurë. — Nënvizoni aspektet pozitive të ndërhyrjes së ekspertëve.
– Mbaj mend se mendimi positiv dhe shmangia e mendimeve të këqija të ndihmon ty dhe shoqërinë.
KUJDES PO; PANIK JO.