Mbappe: Është e frikshme kur presidenti thotë se nuk do të largohesh kurrë si lojtar i lirë

Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe e kishte mendjen te një lëvizje verore në Real Madrid, por ai gjithmonë e dinte se mund të shkonte si lojtar i lirë vitin e ardhshëm, kjo është arsyeja pse ai ka thënë se e ka frikësuar kur presidenti i klubit francez i ka thënë se nuk do të largohej kurrë.

Reprezentuesi francez 22-vjeçar, i konsideruar tashmë si një nga lojtarët më të mirë në futboll, ka zbuluar se qëndrimi i PSG-së ndaj situatës së tij këtë afatin kalimtar veror e bëri atë të ndihej jo komod, por ai donte vetëm atë që ishte më e mira për të gjitha palët.

“Është e frikshme kur presidenti juaj thotë se “ai kurrë nuk do të largohet si lojtar i lirë’”, deklaroi Mbappe për RMC Sport.

“Kur e dëgjova atë, gëlltita fort dhe thashë me vete ‘çfarë do të ndodhë këtu’?”.

Ishte një sagë transferimi që pushtoi botën e futbollit në ditët e fundit të afatit të verës dhe nxiti shumë debate, madje kërcënoi të prishte natyrën e sistemit të transferimeve.

PSG nuk u tërhoq

Klubi parisien tha se sulmuesi nuk ishte për shitje, edhe me një çmim tejet të lartë edhe pse lojtarit i ka mbetur vetëm një vit në kontratën e tij. Shumë menduan se mund të ishte më mirë të arkëtonin paratë, duke përfshirë edhe vetë lojtarin.

“Unë kërkova të largohesha, sepse nga momenti që nuk doja të rinovpja [kontratën time], doja që klubi të kishte një tarifë transferimi për të gjetur një zëvendësues cilësor”, shtoi Mbappe.

“Është një klub që më ka dhënë shumë, unë kam qenë gjithmonë i lumtur, katër vitet që kam kaluar këtu, dhe unë jam ende i lumtur. E kam njoftuar mjaft herët … I thashë, nëse nuk doni që unë të ik, unë do të qëndroj”.

Sulmuesi i ri gjithashtu donte të sqaronte disa pika rreth historisë, duke këmbëngulur se thashethemet se ai refuzoi shumë oferta nga PSG janë të pavërteta, siç është pohimi i klubit se ai shprehu dëshirën e tij për t’u larguar vonë në afatin kalimtar.

“Njerëzit kanë thënë se kam refuzuar gjashtë ose shtatë oferta të kontratës, se nuk dua të flas me [drejtorin sportiv] Leonardon, kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Ata më thanë: ‘Kylian tani ti flet me presidentin’”, bëri të ditur Mbappe.

“Personalisht, nuk e vlerësova faktin që ata thanë se erdha [me lajmet që ai donte të largohej] javën e fundit të gushtit. Unë thashë në fund të korrikut se doja të shkoja”.