Buxheti i vitit 2027: dy miliardë euro për borxhe, 405 milionë për interesa – sa para mbeten për zhvillim?

Maqedonia e Veriut gjatë vitit 2027 do të duhet të shlyejë dhe rifinancojë borxhe në vlerë prej rreth dy miliardë eurosh, ndërsa shpenzimet për interesa pritet të arrijnë në 405 milionë euro. Kjo ndodh në një kohë kur Qeveria synon të ulë deficitin buxhetor dhe të sigurojë mjete për investime infrastrukturore, pensione dhe paga.

Propozim-buxheti për vitin 2027, për të cilin janë dorëzuar mbi 300 amendamente, ka shkaktuar përplasje mes pushtetit dhe opozitës në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet. Pushteti thekson investimet zhvillimore dhe konsolidimin fiskal, ndërsa opozita paralajmëron për ulje të mbrojtjes sociale dhe rritje të kostove të huamarrjes.

Të hyrat e përgjithshme buxhetore janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë, ose rreth 6,4 miliardë euro, ndërsa shpenzimet në 440,4 miliardë denarë, përkatësisht rreth 7,2 miliardë euro.

Deficiti buxhetor është parashikuar në 45 miliardë denarë, ose 3,5 për qind të BPV-së, krahasuar me 4,1 për qind në vitin 2026.

Qeveria pret rritje ekonomike prej 3,8 për qind dhe inflacion prej 3,2 për qind.

„NJË NGA BUXHETET MË TË VËSHTIRA“

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e ka cilësuar propozim-buxhetin si një nga më të vështirët që ka përgatitur ndonjëherë Ministria e Financave, duke iu referuar pasigurive ekonomike dhe gjeopolitike ndërkombëtare.

Ajo ka theksuar se prioritetet kryesore do të jenë pagesa e rregullt e pensioneve, pagave dhe ndihmave sociale, si dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik.

Për paga janë paraparë 57,2 miliardë denarë, ndërsa për shkak të mungesës së mjeteve në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, nga buxheti qendror planifikohen transfere prej 62 miliardë denarësh.

DY MILIARDË EURO PËR SHLYERJEN DHE RIFINANCIMIN E BORXHIT

Një nga sfidat më të mëdha për financat publike në vitin 2027 do të jetë menaxhimi i borxheve ekzistuese.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoranço Jovançev, në Komisionin për financim dhe buxhet deklaroi se vitin e ardhshëm do të maturojnë detyrime për shlyerjen dhe rifinancimin e borxhit në vlerë prej 124,6 miliardë denarësh, ose rreth dy miliardë euro.

Për shlyerjen e kryegjësë janë paraparë 64,7 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet për interesa do të arrijnë në 24,9 miliardë denarë.

Një nga detyrimet më të mëdha është shlyerja e euroobligacionit prej 500 milionë eurosh, të emetuar në vitin 2023, i cili maturohet në vitin 2027.

„Këto janë para që nuk mund t’i ridestinojmë për ndërtimin e një spitali të ri, shkolle, rruge apo ujësjellësi. Janë detyrime që patjetër duhet t’i përmbushim“, deklaroi Jovançev.

Ai akuzoi qeveritë e mëparshme të udhëhequra nga LSDM-ja dhe BDI-ja për huamarrje të tepruar, duke thënë se qeveria aktuale duhet të shlyejë detyrimet e trashëguara dhe njëkohësisht të sigurojë mjete për zhvillim.

Ministrja Dimitrieska-Koçoska paralajmëroi se shteti do të duhet të emetojë euroobligacion të ri në vitin 2027, si dhe në dy vitet pasuese.

Borxhi publik në fund të shtatorit arriti në 56,6 për qind të BPV-së.

MË SHUMË PARA PËR INTERESA, MË PAK HAPËSIRË PËR INVESTIME

Shpenzimet për interesa në vitin 2027 planifikohen të rriten për 18,2 për qind krahasuar me rishikimin e buxhetit për vitin 2026.

Deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, theksoi se në vitin 2021 shteti ndante 9,1 miliardë denarë për interesa, ndërsa vitin e ardhshëm për këtë qëllim janë planifikuar 24,9 miliardë denarë.

Sipas saj, pothuajse trefishimi i këtyre shpenzimeve brenda gjashtë vjetësh e kufizon hapësirën për përmirësimin e shërbimeve publike dhe standardit jetësor.

Për investime kapitale Qeveria ka paraparë 40,8 miliardë denarë, ose rreth 664 milionë euro.

Deficiti i planifikuar buxhetor prej 45 miliardë denarësh është sërish më i lartë se shuma e paraparë për shpenzimet kapitale.

Ish-kryetari i Këshillit Fiskal, Gligor Bishev, ka vlerësuar se ulja e deficitit dhe ndryshimi i strukturës së shpenzimeve publike duhet të bëhen gradualisht, përmes reformave në shëndetësi, arsim dhe sektorë të tjerë publikë.

TATIMET MBETEN TË NJËJTA, MBËSHTETJE PËR KOMPANITË

Qeveria për vitin 2027 paralajmëron se normat tatimore do të mbeten të pandryshuara, ndërsa për mbështetjen e kompanive vendore janë planifikuar 3,3 miliardë denarë, ose rreth 54 milionë euro.

Ministria e Financave po përgatit ndryshime ligjore për përmirësimin e sistemit të kthimit të TVSH-së dhe parandalimin e keqpërdorimeve.

Ministrja paralajmëroi gjithashtu krijimin e një liste të gjelbër dhe një liste të bardhë të kompanive, si dhe mundësinë e tërheqjes së investitorëve nga Serbia.

AUTOSTRADA, SHKOLLA DHE BUJQËSI

VMRO-DPMNE pretendon se buxheti i propozuar siguron mjete për vazhdimin e projekteve kryesore infrastrukturore dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Deputetja Dafina Stojanoska përmendi investimet në Korridoret 8 dhe 10D, përfshirë segmentet autostradale Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Prilep–Manastir.

Parashihet vazhdimi i punimeve edhe në autostradat Kërçovë–Ohër, Kërçovë–Bukojçan dhe Shkup–Bllacë.

Qeveria planifikon gjithashtu blerjen e autobusëve elektrikë dhe automjeteve të ambulancës, investime në objekte shëndetësore, salla sportive, ujësjellës dhe infrastrukturë hekurudhore.

Për bujqësi, pylltari, gjueti dhe peshkim janë paraparë 10,96 miliardë denarë, ose rreth 178 milionë euro.

MBROJTJA SOCIALE NË SHËNJESTËR TË KRITIKAVE

Opozita e LSDM-së vlerëson se buxheti i propozuar nuk ofron mbështetje të mjaftueshme për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.

Lukarevska theksoi se për mbrojtjen sociale janë planifikuar 14,3 miliardë denarë, ose rreth 233 milionë euro, që sipas saj paraqet ulje reale në krahasim me vitet e mëparshme.

Ajo përmendi se shkalla e varfërisë te fëmijët deri në 17 vjeç është 21,9 për qind, te prindërit e vetëm 29,5 për qind, ndërsa te familjet me tre ose më shumë fëmijë arrin në 45 për qind.

Nga ana tjetër, ministrja Dimitrieska-Koçoska e arsyetoi uljen e mjeteve për transferet sociale me zbulimin e përfituesve që nuk i plotësonin kushtet ligjore për marrjen e ndihmës sociale.

Opozita paralajmëroi edhe për uljen e dotacioneve për komunat, si dhe për faktin se detyrimet e papaguara të institucioneve publike shëndetësore kanë arritur në 157 milionë euro.

Sipas analizës së Zyrës Parlamentare për Buxhet, të cilës iu referua Lukarevska, mjetet për Ministrinë e Arsimit janë ulur për 503 milionë denarë krahasuar me vitin 2026.

GJYQËSORI MERR MË SHUMË MJETE, POR JO SA KËRKON

Për gjyqësorin në vitin 2027 janë paraparë mbi 55 milionë euro dhe mjete për 400 punësime të reja.

Megjithatë, ndarjet buxhetore nuk do të arrijnë nivelin e kërkuar prej 0,8 për qind të BPV-së, që sipas vlerësimeve do të ishte rreth 160 milionë euro.

Lukarevska kritikoi edhe financimin e aktiviteteve kundër korrupsionit, duke theksuar se për njërin nga zërat buxhetorë të kësaj fushe janë paraparë vetëm 150.000 denarë.

Sipas saj, zotimet e Qeverisë për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit nuk shoqërohen me mbështetje të mjaftueshme financiare.

MBI 300 AMANDAMENTE PARA DEPUTETËVE

Debati për propozim-buxhetin e vitit 2027 vazhdon në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet, ku dokumenti po shqyrtohet në lexim të dytë.

Për propozimin janë dorëzuar mbi 300 amendamente, ndërsa debati në komision është paraparë të zgjasë gjithsej dhjetë ditë.

Qeveria mbron planin për uljen graduale të deficitit dhe rritjen ekonomike, ndërsa opozita kërkon më shumë mjete për mbrojtjen sociale, arsimin, shëndetësinë dhe mbështetjen e qytetarëve.

Sfidë kryesore për financat publike në vitin 2027 do të jetë sigurimi i mjeteve për këto prioritete, në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme e të hyrave shtetërore do të shkojë për shlyerjen e borxheve, sistemin pensional dhe pagat në sektorin publik./ Inbox7