Masakra në Lushnje/ Viktima person me precedent penal, automjeti i autorëve i vjedhur në Vlorë

Tvklan.al zbulon të tjera detaje nga masakra që tronditi Lushnjen mbrëmjen e 23 Gushtit, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj Bledar Muçës, pronarit të lokalit Pedonalja në këtë qytet.

Muça humbi jetën menjëherë, ndërsa nga të shtënat me breshëri kallashnikovi mbetën të plagosur 5 persona të tjerë. Disa prej tyre ishin ulur në tavolinat e jashtme të këtij lokali, ndërsa të tjerë ishin kalimtarë rastësorë.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima Bledar Muça, i cili sipas hetuesve konsiderohet si objektiv i atentatit, ka qenë i dënuar në vitin 2007 për vrasje të mbetur në tentativë. Por grupi hetimor beson se kjo ngjarje e 13-14 viteve më parë nuk ka lidhje me atentatin e mbrëmjes të së hënës.

Autorët, të cilët kanë qenë më shumë se dy, hapën zjarr me breshëri nga automjeti, të cilin më pas e braktisën mjetin pranë Rrogozhinës. Policia e gjeti këtë makinë në flakë.

Brenda mjetit u gjetën dy armë zjarri kallashnikov. Të njëjtat burime nga grupi hetimor thonë për tvklan.al se makina e atentatorëve rezulton që të jetë e vjedhur në Vlorë disa kohë më parë.

Hetuesit po kqyrin kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendit ku ndodhi ngjarja për të identifikuar autorët dhe për të zbuluar itinerarin e tyre. Po kështu, të paktën 20 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje. /tvklan.al