Marrëveshja për grurin skadon më 18 mars, Guterres në Kiev për zgjatjen e saj

Lufta në Ukrainë ishte në fokus të vizitës zyrtare që sekretari i përgjithshëm i OKB-së zhvilloi në Kiev.

Ai u takua me presidentin Volodymyr Zelensky për të diskutuar zgjatjen e marrëveshjes së grurit. Gjithashtu, Guterres e quajti vizitën e tij një tjetër provë për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

“Kjo është vizita ime e tretë në Ukrainë në më pak se një vit. Është një vizitë për të treguar ndihmën tonë në gjetjen e zgjidhjeve. Qëndrimi i Kombeve të Bashkuara është i qartë si kristali: pushtimi rus i Ukrainës është një shkelje e statutit të OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar. Sovraniteti, pavarësia, uniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës duhet të vijojë të jetë brenda kufijve të njohur të saj”, tha Guterres.

Furnizimet me grurin ukrainas u ndërprenë pas nisjes së pushtimit rus. Pas negociatave të gjata të ndërmjetësuara nga OKB dhe Turqia, Rusia pranoi në korrik të garantohej siguria e ngarkesave me produkte agro-kulturore. Akordi skadon më 18 mars.