Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Deputetja britanike: Nuk duhet të krijohet asnjë ent i stilit “Republika Srpska”

Deputetja britanike e cila drejton edhe Komitetin për Punë të Jashtme, Alicia Kearns ka reaguar për draftin e përditësuar të propozimin franko-gjerman, i cili iu është dorëzuar të premten e kaluar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, nga pesëshja diplomatike.

Kearns ka deklaruar se është e shqetësuar për pikën 7 të propozimit në të cilin thuhet se: “Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës”.

Ajo thotë se asnjë etnitet në stilin e “Republika Srpskas” s’duhet të krijohet.

“Shumë e shqetësuar nga implikimet e propozimeve sipas nenit 7. Askush nuk duhet të kërkojë të rrënjos, e lëre më të projektojë me qëllim, çdo formë të “vetëqeverisjes” në vijat etnike brenda Ballkanit. Nuk duhet të krijohet asnjë ent i stilit “Republika Srpska “.”, ka shkruar ajo në Twitter./21Media