Panik pas sulmit kibernetik ndaj Binance: Përdoruesit tërheqin 3,64 miliardë dollarë, tronditet tregu i kriptovalutave!

PANIK PAS SULMIT KIBERNETIK NDAJ BINANCE: Përdoruesit tërheqin 3,64 miliardë dollarë, tronditet tregu i kriptovalutave!

Një sulm masiv kibernetik ndaj platformës më të madhe të kriptovalutave në botë, Binance, ka shkaktuar shqetësim te investitorët, të cilët kanë tërhequr asete digjitale në vlerë prej 3,64 miliardë dollarësh pas rifillimit të funksionimit të platformës.

Sipas raportimit të Skopje1.mk, gjatë sulmit janë vjedhur kriptoasete me vlerë prej 6,3 miliardë dollarësh. Nga Binance deklarojnë se vala fillestare e tërheqjeve tashmë është stabilizuar.

Kompania njoftoi se deri më 28 tetor administronte asete me vlerë prej 171 miliardë dollarësh dhe numëronte 335 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën.

Pas incidentit, Binance pretendon se ka arritur të sigurojë zëvendësimin e 95 për qind të aseteve të vjedhura, duke përdorur fondet e veta. Për pjesën e mbetur, procesi mund të zgjasë për shkak të likuiditetit më të ulët.

Sulmi ka ndikuar edhe në tregun e kriptovalutave. Bitcoin ra në nivelin më të ulët të gjashtë javëve të fundit, përpara se të rikuperohej pjesërisht dhe të tregtohej mbi 78.000 dollarë. Ethereum gjithashtu shënoi rënie deri në 2.287 dollarë, nivelin më të ulët në dy muaj, përpara një rikuperimi të lehtë.

Sipas raportimit, FBI-ja amerikane ka lidhur sulmin me grupin e hakerëve “TraderTraitor”, që dyshohet se ka lidhje me Korenë e Veriut.

Ndërkohë, kompania amerikane TRM Labs vlerëson se gjatë vitit të kaluar, në afro 150 sulme kibernetike, janë vjedhur kriptovaluta me vlerë rreth 2,9 miliardë dollarësh.