Marrëveshja e Parisit kërkon kontributin e vendeve të zhvilluara

Vendet e zhvilluara janë të detyruara të kontribuojnë në fondin e “humbjeve dhe dëmeve” të Marrëveshjes së Parisit sapo ai të krijohet, për të ndihmuar vendet në zhvillim të luftojnë ndryshimin klimatik, tha të shtunën një i dërguar kinez për klimën.

“Humbje dhe dëme” në negociatat e OKB-së mbi klimën quhen shpenzimet që janë bërë tashmë për shkak të ndikimeve të ndryshimit të klimës, të tilla si rritja e nivelit të deteve apo valët ekstreme të të nxehtit.

Vendet në zhvillim mund të kontribuojnë në këtë fond vullnetarisht, shtoi Xie Zhenhua, i dërguari i posaçëm për ndryshimin klimatik i Kinës në një konferencë gjatë pjesëmarrjes në sesionin e 27-të të Konferencës së Palëve (COP27) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimin Klimatik, të mbajtur në Sharm el-Sheikh të Egjiptit.

Lidhur me çështjen e financimit të humbjeve dhe dëmeve, Xie, gjithashtu përfaqësuesi i posaçëm i presidentit kinez Xi Jinping, tha se Kina mirëpret përfshirjen e kësaj teme për herë të parë në rendin e ditës të COP27, në përgjigje të kërkesës së vendeve në zhvillim, duke e përshkruar këtë si “përparim të madh”.

I dërguari kinez vuri në dukje se Kina i ka mbështetur prej kohësh vendet e tjera në luftën kundër ndryshimit të klimës nëpërmjet bashkëpunimit Jug-Jug dhe nismës “Një brez, një rrugë”.

Kina i ka ndihmuar vendet në zhvillim në ngritjen e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, ndërtimin e zonave të demonstrimit me karbon të ulët dhe përgatitjen e zyrtarëve dhe të personelit teknik për të përmirësuar kapacitetet e këtyre vendeve për të përballuar ndryshimin e klimës dhe për të zhvilluar energjinë e përtëritshme, theksoi Xie.