Marrëveshja e Ohrit e bëri Maqedoninë e Veriut vend më të qëndrueshëm

“Ishte një periudhë jashtëzakonisht e dendur dhe e ngjeshur, pasi lufta mund të rifillonte në çdo kohë; më sillen në kokë shembuj specifikë për këtë. Por, ajo që mbetet domethënëse për mua, kryesisht, është guximi dhe pjekuria e liderëve politikë të asaj kohe në vendin tuaj, të cilët ditën më në fund të pranonin një marrëveshje kompromisi për ta ruajtur stabilitetin dhe të ardhmen e vendit tuaj. Dhe, është gjithashtu edhe uniteti i aktorëve të bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, OSBE-së, të cilët kanë nxjerrë mësimet nga dështimet e dekadës së mëparshme në rajon dhe kanë ditur t`i bashkojnë forcat për të kontribuar në parandalimin e shpërbërjes së Maqedonisë së Veriut”, kujton ato ditë Alain Le Roy.

Intervistoi: Ismail SINANI

Ambasadori francez dhe ish i dërguar special i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Alain Le Roy, në intervistën ekskluzive për revistën SHENJA flet për vlerën e Marrëveshjes së Ohrit në ndërtimin e shtetit. Duke qenë i dërguar special i BE-së në periudhën 2001-2002, kohë kjo tejet e vështirë për Maqedoninë e atëhershme, Le Roy evokon kujtime interesante që ndërlidhen me zhvillimet politike të atëhershme. Sipas diplomatit francez, dokumenti i nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, që i dha fund konfliktit të armatosur, paraqet një bazë të mirë për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë. Po kështu ai konsideron se Marrëveshja e Ohrit e ka bërë vendin më të qasshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë nënqiell.

SHENJA: Lufta e vitit 2001 përfundoi me një marrëveshje, e cila qëllim kryesor i kishte ndryshimet kushtetuese. Në perspektivën tuaj a kishte Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO) qëllim që, përmes ndryshimeve kushtetuese, ta ndryshojë karakterin njëetnik të shtetit apo e shihni thjeshtë si një marrëveshje, e cila e ndali luftën në Maqedoni të Veriut?

ALAIN LE ROY: Sipas mendimit tim, kjo marrëveshje, me zbatimin e saj, padyshim që luajti një rol të madh në përfundimin e një lufte shumë të rëndë në Maqedoninë e Veriut, sikurse edhe ato që u zhvilluan në vendet e tjera të rajonit, por ajo gjithashtu bëri të mundur që të afirmohet karakteri multietnik i shtetit, duke përforcuar të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe të pakicave të tjera, si dhe bëri të mundur decentralizimin e organizimit të shtetit.

Për më tepër, secilit i kujtohet se vendi juaj ishte gjithashtu në gjendje ta fitojë pavarësinë në vitin 1991 pa konflikt të armatosur me askënd.

SHENJA: MKO është akronimi për Marrëveshjen e Ohrit ku shkronja “K” zëvendëson fjalën “Kornizë”. Cili ishte funksioni i “kornizës” në kuadër të kësaj marrëveshje? A duhej që MKO të jetë një kornizë përmes së cilës ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 ta shndërrojnë Maqedoninë në një shtet multietnik, që e reflekton realitetin shoqëror në vend, apo kishte për qëllim ta konservojë pronësinë juridike e shtetërore të kombit maqedonas mbi shtetin e Maqedonisë së Veriut ashtu siç ishte projektuar ky shtet në Kushtetutën e vitit 1991?

ALAIN LE ROY: Bëhet fjalë për një marrëveshje kornizë, sepse ashtu ishte parashikuar që prej hartimit të saj, që zbatimi i saj do të kërkonte dispozita të shumta ligjore, të natyrës kushtetuese, legjislative ose normative dhe në fakt kjo është ajo që është bërë.

SHENJA: Marrëveshja e Ohrit, si dokument që i dha fund konfliktit të vitit 2001 e që këtë vit shënon jubileun 20 vjeçar, s’do mend se ka zënë një vend të rëndësishëm në ndërtimin vertikal dhe horizontal të këtij shteti. Sipas jush, a është ky dokument fundi apo fillimi i sendërtimit të një shoqërie të barazisë së plotë?

ALAIN LE ROY: Sigurisht që nuk ka një shoqëri krejtësisht të barabartë, por për mendimin tim kjo marrëveshje ka bërë të mundur që të bëhet përparim i madh në sendërtimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe të bëhet një shpërndarje më e drejtë e të drejtave dhe detyrave të entiteteve të ndryshme që përbëjnë shtetin. Vendi është padyshim më i qëndrueshëm pasi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë ndjenjën se marrin pjesë në mënyrë adekuate në udhëheqjen e vendit.

SHENJA: A ka logjikë politike që edhe sot, 20 vjet pas firmosjes së atij dokumenti, shumë politikanë legjitimitetin e vet politik të përpiqen ta ruajnë përmes Marrëveshjes së Ohrit, e cila siç dihet ka qenë dashur të implementohet para 15 vitesh?

ALAIN LE ROY: Më duket se shumë veta i referohen kësaj marrëveshjeje, sepse ajo qartësisht ka një karakter shembullor për nga guximi politik, që u duhej nënshkruesve të Marrëveshjes, nga fakti që ajo mundësoi një zhvillim paqësor të Maqedonisë së Veriut dhe nga fakti që ajo është e përmendur rregullisht si një model për të ndihmuar që demokracia e vërtetë multietnike të funksionojë në një mënyrë të shquar dhe të dalluar.

Po kështu, sot Marrëveshja e Prespës përmendet tashmë si shembull i një zgjidhjeje të guximshme të një mosmarrëveshjeje midis vendeve fqinje.

SHENJA: Keni qenë diplomati i cili ka vepruar në kohën më të vështirë të historisë moderne të Maqedonisë së Veriut. Kur e ktheni kokën prapa, si e shihni atë periudhë?

ALAIN LE ROY: Ishte një periudhë jashtëzakonisht e dendur dhe e ngjeshur, pasi lufta mund të rifillonte në çdo kohë; më sillen në kokë shembuj specifikë për këtë.

Por, ajo që mbetet domethënëse për mua, kryesisht, është guximi dhe pjekuria e liderëve politikë të asaj kohe në vendin tuaj, të cilët ditën më në fund të pranonin një marrëveshje kompromisi për ta ruajtur stabilitetin dhe të ardhmen e vendit tuaj.

Dhe, është gjithashtu edhe uniteti i aktorëve të bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, OSBE-së, të cilët kanë nxjerrë mësimet nga dështimet e dekadës së mëparshme në rajon dhe kanë ditur t`i bashkojnë forcat për të kontribuar në parandalimin e shpërbërjes së Maqedonisë së Veriut.

Do të doja të kujtoj këtu, ndër shumë të tjerë, disa aktorë shumë të rëndësishëm të asaj periudhe: presidentin Trajkovski, për të cilin mund të dëshmoj se nuk ka lënë pas dore asnjë përpjekje, ditë e natë, gjatë gjithë asaj periudhe, për të bërë të mundur gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit, duke pasur parasysh vetëm interesin e vendit.

Mandej Havier Sollanën (Javier Solana), i cili diti të vinte në funksion të gjitha kapacitetet e tij dhe përvojën e tij të madhe në dobi të ndërmjetësimit, me mbështetjen e rëndësishme të Komisionit të Bashkimit Evropian të Kris Patenit (Chris Patten), si dhe të NATO-s të, gjegjësisht të Lordit Xhon Robertson, i cili nuk e kurseu mundin e tij gjatë gjithë asaj periudhe.

Gjithashtu e kujtoj edhe Robert Badinterin, juristin e shquar francez, i cili propozoi rregullin e shumicës së dyfishtë, që bën të mundur mbrojtjen e të drejtave të pakicave, si dhe Maks Van Der Shtulin, i cili në emër të OSBE-së, diti të propozonte zgjidhje që e lehtësuan bashkëjetesën dhe mundësoi hapjen e Universitetit të Evropës Juglindore.

Dhe, pa dyshim shume të tjerë…

SHENJA: Me siguri në kujtimet tuaja keni edhe momente të vështira që lidhen me këtë vend. Aq më tepër kur të merret parasysh se bëhet fjalë për një periudhë post konfliktuale. Cili ka qenë momenti juaj më i vështirë? Dhe, a keni pasur ndonjë rast kur keni thënë se nuk ia vlen të merreni me këtë pjesë globit?

ALAIN LE ROY: Ka pasur shumë momente të vështira, në të cilat duhej të reagonim shumë shpejt, për shembull kur diskutimet në Parlament u bllokuan tërësisht, kur kishte pengmarrje, që mund të përkeqësonte situatën, kur shtoheshin kërcënimet për veprime të armatosura, kur disa aktorë dëshpëroheshin, e kështu me radhë… Por në asnjë moment, askush nga ata që morën pjesë në ndërmjetësim, nuk kishin tundimin të hiqnin dorë, sepse ishte momenti shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Andaj edhe sot ndjehem krenar, që kam qenë njëri nga ata, që kanë ndihmuar për të zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore, në interesin e të gjithëve.

SHENJA: Në opinionin tonë në RMV thuhet se teksti i marrëveshjes ka mbetur i papërfunduar në bisedimet e zhvilluara në Ohër për shkak të luftimeve që zhvilloheshin në zona të ndryshme të vendit. A do të thotë kjo se Marrëveshja e Ohrit ka mbetur e papërfunduar dhe se ka mundësi të rishikohet ajo?

ALAIN LE ROY: Marrëveshja e Ohrit nuk më duket e papërfunduar. Ajo është bërë një praktikë e zakonshme dhe, më duket, se përkon mirë me nevojat aktuale të shoqërisë së Maqedonisë së Veriut, por është e qartë se evolucioni i shoqërive, kudo në Evropë, e bën të nevojshëm ndonjëherë rregullimin dhe përshtatjen legjislative apo normative.

SHENJA: Ajo që ka vazhduar të mbetet problem në RMV është teksti i preambulës së kushtetutës, që – sipas informacioneve që i kemi ne – nuk është ai që është dakorduar në Ohër. A mund të na shpjegoni se çfarë ka ndodhur saktësisht? Apo, po ta shtrijmë pyetjen më hollësisht, a e projekton kjo preambulë Maqedoninë e Veriut si shtet qytetar multientik apo vazhdon ta ruajë primatin e një etnie për të pasur shtet monoetnik?

ALAIN LE ROY: I mbetet profesorëve nga fusha e drejtësisë, e jo mua, ta kualifikojnë saktësisht dhe ligjërisht tekstin e preambulës së Kushtetutës, ashtu siç u votua ajo nga Kuvendi në vitin 2002. Sipas meje, Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese që ndodhën më pas, qartazi, troç dhe drejtë kanë afirmuar karakterin shumetnik të Maqedonisë së Veriut.

SHENJA: Si ju duket qasja e Bashkimit Evropian përballë sfidave rajonale? Në dallim prej para dy dekadash kur sugjerimet e zyrtarëve të BE-së merreshin me seriozitetin më të madh, kohëve të fundit sikur është zbehur fuqia politike e Brukselit. Pse?

ALAIN LE ROY: Kjo sigurisht që ka një shpjegim, për shkak të një kohe shumë të gjatë që ka kaluar, për arsye të njohura, qysh kur në vitin 2005 Maqedonia e Veriut e fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, jam i bindur se posa të fillojnë negociatat e anëtarësimit, e kjo do të ndodhë shumë shpejt, vendi juaj do të jetë në gjendje ta kompensojë kohën e humbur dhe lidhjet me Bashkimin Evropian do të forcohen shumë shpejt, ndërkaq interesi për t’u afruar me Bashkimin Evropian do të rishfaqet saora, menjëherë.

SHENJA: Nuk janë të rralla edhe momentet kur ndihet një dozë e lartë e divergjencave në qasje ndaj Ballkanit që i manifestojnë SHBA-ja dhe BE-ja. A është kjo si pasojë e qasjes “kauboje” e ish Presidentit Donald Trump apo vërtet Brukseli dhe Uashingtoni tashmë në mënyrë më të theksuar po shfaqin dallime në diplomacitë e tyre?

ALAIN LE ROY: Ka pasur divergjenca serioze midis evropianëve në fillimin e viteve 1990-të, kur filloi të prishej Jugosllavia, dhe kjo e ka dëmtuar tej mase kapacitetin evropian për të zbutur dhe lehtësuar konfliktet e asaj periudhe. Për fat të mirë, që nga mesi e deri në fund të viteve 1990-të, Bashkimi Evropian diti të flasë me një zë dhe ndikimi i tij u forcua, veçanërisht gjatë krizës 2001-2002 në Maqedoninë e Veriut.

Midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës mund të ketë pasur mospërputhje (divergjenca) të vogla në të kaluarën, por si gjatë periudhës së diskutimeve rreth arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, njashtu edhe në diskutimet në Forumin e shquar të Prespës, i cili u mbajt në Ohër para disa ditësh, mirëkuptimi dhe marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ishte shembullore. Aq më tepër, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke konfirmuar dhe ofruar mbështetjen e tyre të nevojshme, e kanë bërë të qartë në mënyrë të përkryer se roli kryesor në rajon natyrisht i bie Bashkimit Evropian, pasi është pikërisht BE-ja ajo që synon t’i integrojë përfundimisht të gjitha vendet e Ballkanit.

Përktheu: Ardian Ramadani