Marrëveshja e dy Gjermanive dhe Marrëveshja Kosovë-Serbi

Shkruan: Shkëlzen Gashi

Baza e marrëveshjes për marrëdhëniet mes Gjermanisë Lindore dhe Gjermanisë Perëndimore, e njohur si Marrëveshja Bazike Gjermane (dhjetor 1972), ua njeh sovranitetin të dyja shteteve, rregullon komunikimin diplomatik mes tyre, si dhe hap rrugën për “marrëdhënie të mira fqinjësore”. Kjo është marrëveshja që është marrë për bazë pothuajse në tërësi për hartimin e propozimit të Bashkimit Europian, të titulluar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”, e pranuar verbalisht në shkurt nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Madje, Kurti e ka pranuar se Marrëveshja Kosovë-Serbi merr shumëçka nga fryma dhe paragrafë të caktuar prej Marrëveshjes mes dy ish-Gjermanive.

Preambula dhe mëse gjysma e neneve të Marrëveshjes Kosovë-Serbi janë krejt identike me Marrëveshjen mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore. Në nenin e parë, ku thuhet se Kosova dhe Serbia janë fqinj që zhvillojnë marrëdhënie në bazë të të drejtave të barabarta (arritje kjo e madhe e Kosovës nga kjo marrëveshje), Kosova ia doli ta fuste edhe këtë fjali: “Të dyja palët do t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si dhe simbolet shtetërore, përfshirë pasaportat, diplomat, tabelat e veturave dhe vulat doganore”. Ndonëse dokumentet, diplomat, tabelat e veturave dhe vulat doganore përfshihen edhe në marrëveshjet e mëhershme të nënshkruara në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, në marrëveshjen e tanishme këto figurojnë në mënyrë krejt eksplicite. Për më tej, kësaj radhe figurojnë edhe pasaportat me simbolet shtetërore. Arritje tjetër e Marrëveshjes mund të konsiderohet edhe avancimi i “zyrave ndërlidhëse” të palëve në Prishtinë e në Beograd, në “misione të përhershme”.

Problemi me Marrëveshjen e mësipërme nis qysh në fillim, te vetë emërtimet. Ndërkohë që në Marrëveshjen mes dy ish-republikave gjermane nëpër gjithë tekstin thuhet “Republika Federale e Gjermanisë” dhe “Republika Demokratike e Gjermanisë”, në Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë nuk përmenden Republika e Serbisë dhe Republika e Kosovës, por vetëm “palët”.

Te neni 2 i kësaj marrëveshjeje mes ‘palëve’, përndryshe krejt identik me nenin 2 të marrëveshjes mes dy ish-Gjermanive, asnjëra palë, as Kosova e as Serbia, nuk ia kanë dalë as të shtojnë, as të heqin gjë. Sidoqoftë, neni është krejt përgjithësues. Në të nuk thuhet, siç përpiqen të argumentojnë pushtetarët kosovarë, se Serbia ia pranon Kosovës pavarësinë, integritetin territorial e të drejtën për vetëvendosje, porse palët do të udhëhiqen mes të tjerash edhe nga këto parime: pavarësia, integriteti territorial dhe e drejta për vetëvendosje, të përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe se do t’i respektojnë ato. Pavarësia e kujt? Integriteti territorial i kujt? E drejta për vetëvendosje për kë? Pra, ky nen e përmban atë që në shkencë politike quhet virtyti i paqartësisë.

Në nenin 4 thuhet se palët nisen nga supozimi se asnjëra palë nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare, e as të veprojë në emër të saj. Ndonëse thuhet se “palët nisen nga supozimi”, edhe ky nen përbën arritje tjetër të Kosovës nga kjo marrëveshje. Kosova madje arrin që këtij neni t’ia shtojë edhe këtë klauzolë: “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësinë e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare”.

Ç’është e vërteta, e njëjta figuronte edhe në Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik të nëntorit 2020 nga kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq. Edhe neni 5 është po ai i Marrëveshjes së vitit 2020: “Asnjëra palë nuk do ta bllokojë, as nuk do t’i inkurajojë të tjerët ta bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre.”

Te neni 3 i Marrëveshjes së fundit mungon një fjali kyçe, e cila gjendet në Marrëveshjen mes dy ish-Gjermanive: “Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike e Gjermanisë riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen të kufirit ekzistues mes tyre dhe zotohen se do të respektojnë në tërësi integritetin territorial të njëra-tjetrës”. Kurse, një nen tjetër në Marrëveshjen mes dy ish-Gjermanive, të cilin Serbia nuk ka lejuar të përfshihet në Marrëveshjen Kosovë-Serbi, është neni 6, që thotë: “Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike e Gjermanisë udhëhiqen nga parimi se juridiksioni sovran i secilit prej dy shteteve është i kufizuar vetëm në territorin e vet. Palët e respektojnë pavarësinë e njëra-tjetrës dhe autonominë në çështjet e tyre të brendshme e të jashtme”.

Mospërfshirja e këtyre dy neneve fort të rëndësishme në Marrëveshjen Kosovë-Serbi është mjaft shqetësuese. Vetëm me përfshirjen e tyre në Marrëveshjen Kosovë-Serbi do të mund të thuhej se bëhet fjalë për njohje reciproke e për normalizim të raporteve mes dy shteteve. Më e keqja është se, siç e kanë thënë ndërmjetësit e BE-së, e këtë e ka pranuar edhe kryeministri, “palët janë pajtuar që nuk do të ketë diskutime të mëtejme për këtë propozim”.

Fushat në të cilat palët do ta thellojnë bashkëpunimin mes tyre, sipas nenit 6 të Marrëveshjes Kosovë-Serbi, janë krejt identike me nenin 7 të Marrëveshjes mes dy ish-Gjermanive, me dallimin e vetëm se janë shtuar edhe tri sosh: religjioni, personat e zhdukur dhe personat e zhvendosur. E para, religjioni, është futur për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë. E dyta, personat e zhdukur, është pikë nga e cila do të mund të përfitonin qytetarët e të dyja palëve. Ndërkaq, e treta, personat e zhvendosur, është shtuar me këmbënguljen e palës serbe, sepse ka të bëjë me të zhvendosurit nga Kosova në Serbi, të cilët, nëse duan, nuk ka asnjë dilemë se duhet të kthehen në Kosovë.

Është zhgënjyese se si Kosova nuk ka ngulur këmbë që në këtë dispozitë të figurojnë të gjitha problemet e ndërsjella me Serbinë, përfshirë edhe të gjitha dëmet e luftës. Kjo sidomos duke pasur parasysh se kryeministri Kurti përgjatë dy dekadave sa ishte në opozitë, e kishte këtë çështje lart në agjendë. Sa u takon dëmeve të luftës, në marrëveshje shtrohen vetëm çështja e të pagjeturve dhe ajo e personave të zhvendosur, e jo edhe vrasjet e civilëve, përdhunimet, burgosjet dhe pengjet, deportimet, komunitetet e shkatërruara (fshatrat e shkatërruara, komunitetet e lëna pa burra, bagëtitë e vrara, plaçkitjet e pasurive të tundshme dhe të artefakteve muzeale, konfiskimet e dokumenteve personale), objektet e shkatërruara (shtëpitë, shkollat, ambulancat, fabrikat, xhamitë, medresetë, teqetë, kishat), e kështu me radhë.

Për të pasur normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në marrëveshje do të duheshin përfshirë edhe zhdëmtimi dhe format e zhdëmtimit, të cilat përfshijnë restitucionin, kompensimin, rehabilitimin, satisfaksionin dhe garancionet për mospërsëritjen e dëmit në të ardhmen. Kategoria e fundit përfshin masat si: vërtetimi i fakteve dhe shpalosja e tërësishme e së vërtetës, kërkimi i faljes, komemoracionet dhe nderimi i viktimave, si dhe paraqitja korrekte e fakteve nëpër tekstet e historisë.

Çfarë e dallon Marrëveshjen Kosovë-Serbi me Marrëveshjen mes dy ish-Gjermanive janë nenet 7 dhe 10. Në këto dy nene, tri çështje janë të rëndësishme: e para, çfarë do të jetë niveli i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë; e dyta, çfarë do të jetë niveli i mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe; dhe, e treta, që lidhet me të parën, cilat do të jenë kompetencat e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Puna e vështirë nuk është kryer ende dhe, siç e thotë Departamenti i Shtetit i SHBA-së, marrëveshja për aneksin e implementimit është jetike për normalizimin e marrëdhënieve, e për këtë normalizim e përmend Asociacionin. Jam i bindur se mungesa e njohjes reciproke dhe çështja e kompetencave të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jenë arsyet kryesore për dështimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ilustrimi: Bigeye