Marok: Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nga tërmeti që la mbi 2 mijë të vdekur

Ekipet e shpëtimit i kanë vazhduar kërkimet të dielën për të mbijetuar nga tërmeti më vdekjeprurës i Marokut në gjashtë dekadat e fundit, si pasojë e të cilit vdiqën më shumë se 2.000 njerëz dhe shumë u rrafshuan në bjeshkët afër Marakeshit.

Shumë njerëz e kaluan edhe natën e dytë jashtë nëpër rrugë, pas tërmetit 6.8 ballësh që goditi të premten vonë.

Ministria e Brendshme e Marokut tha se numri i të vdekurve është rritur në 2.012, ndërsa 2.059 njerëz janë lënduar, përfshirë 1.404 në gjendje të rëndë.

Ekipet e shpëtimit përballet me sfida për të arritur në fshatrat e prekura më së shumti në Atlasin e Lartë, një bjeshkë maja-maja me vendbanime të largëta ku shumë shtëpi shemben.

Pamje të një shtëpie të pothuajse të rrënuar nga tërmeti në Marakesh, Marok, 9 shtator 2023.
Pamje të një shtëpie të pothuajse të rrënuar nga tërmeti në Marakesh, Marok, 9 shtator 2023.

Pjesë të mëdha të një shkëmbi të thyer ranë në një rrugë pranë Moulay Brahim, një fshat rreth 40 kilometra në jug të Marakeshit, duke e bllokuar pjesërisht një rrugë që e lidh qytetin me Bjeshkët Atlas.

“Ka shumë njerëz ende nën rrënoja. Njerëzit janë duke i kërkuar prindërit e vet”, tha për Reuters Adeeni Mustafa, një banor nga rrethina Asni.

“Ka shumë rrugë të mbyllura”, shtoi ai.

Në fshatin Moulay Brahim janë vendosur tenda të shumta në një fushë futbolli me baltë.

Maroku i ka shpallur tri ditë zie për viktimat e tërmetit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se më shumë se 300.000 njerëz janë prekur nga kjo fatkeqësi.

Tërmeti 6.8 ballësh goditi 72 kilometra në jugperëndim të vendin turistik, Marakesh, më 8 shtator në orën 23:11, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.

Lëkundje të fuqishme u ndien edhe në qytetet bregdetare Rabat, Kasablanka dhe Esaourija.

Shumica e të vdekurve besohet se janë nga zonat malore vështirë të arritshme.

Një veturë e dëmtuar dhe rrënojat e një tërmeti në Marakesh, Marok, më 9 shtator 2023.
Një veturë e dëmtuar dhe rrënojat e një tërmeti në Marakesh, Marok, më 9 shtator 2023.

Të shtunën televizioni maroken shfaqi pamje nga pasojat e tërmetit, nga i cili shumë njerëz u detyruan të flenë jashtë, duke u frikësuar nga lëkundje të tjera pas tërmetit shkatërrues.

Familje në ankth qëndruan nëpër rrugë dhe trotuare, disa prej të cilave me fëmijë, batanije apo gjëra të tjera në dorë.

“Ne e ndiem një dridhje të fortë, dhe e kuptuam se ishte tërmet”, tha për agjencinë e lajmeve AFP Abdelhak El Amrani, një 33-vjeçar nga Marakeshi.

“Mund t’i shihja ndërtesat duke lëvizur. Pastaj dola jashtë dhe pashë shumë njerëz. Ata ishin të tronditur dhe në panik. Fëmijët qanin dhe prindërit të shqetësuar”, shtoi ai.

Xhamia e shekullit të XII-të, Koutoubia, në Marakesh, njëra nga më të famshmet u dëmtua nga tërmeti, por nuk është e qartë se deri në çfarë shkalle, raportuan mediat marokene. Minarja e saj 69 metra e lartë njihet si “çatia e Marakeshit”.

Një burrë duke ecur me gjësendet e tij nëpër gërmadha në një rrugicë në qytetin e vjetër, Marakesh, pas tërmetit shkatërrues më 9 shtator 2023.
Një burrë duke ecur me gjësendet e tij nëpër gërmadha në një rrugicë në qytetin e vjetër, Marakesh, pas tërmetit shkatërrues më 9 shtator 2023.

Marokenët postuan në rrjetet sociale video që shfaqën dëmtimin e disa pjesëve të mureve të kuqe të famshme, të cilat e rrethojnë qytetin e vjetër Marakesh, një zonë e trashëgimisë botërore të UESCO-s.

Kryetari i një qyteti afër vatrës së tërmetit tha për televizionin maroken 2M se disa shtëpi në qytetet përreth janë shembur pjesërisht apo plotësisht, ndërsa rryma është ndërprerë dhe rrugët janë mbyllur në disa vende.

Mediat marokene raportuan se ky ishte tërmeti më i fuqishëm që e ka goditur vendin e Afrikës Veriore deri më sot.

Më 2004, së paku 628 persona u vranë dhe 926 të tjerë u lënduan si pasojë e një tërmeti në verilindje të Marokut, ndërsa më 1960, një tërmet 6.7 ballës në Agadir, i vrau më shumë se 12.000 njerëz./REL