Mariçiq: Synojmë standardin evropian për qytetarët deri në fund të vitit 2030

“Qëllimi ynë është i qartë, reformat duhet të vazhdojnë dhe çdo institucion duhet të jetë në lartësinë e detyrës, veçanërisht legjislativi, sepse integrimi evropian është një proces shtetëror dhe ekipor”, tha sot zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, duke hapur debatin e sotëm “Green Agjenda – burimet e rinovueshme, ushqimi maqedonas, tregu evropian”.

Siç tha Mariçiq, obligimi që ka marrë kjo Qeveri është i vështirë, por prioritet janë zhvillimi, prosperiteti, ekonomia evropiane dhe standardi evropian i jetesës.

“Ne e dimë se detyrimi që po ndërmarrim është i vështirë, por e dimë gjithashtu se cili është qëllimi ynë – zhvillimi, prosperiteti, ekonomia evropiane, tregjet evropiane dhe standardi evropian i jetesës për qytetarët deri në fund të vitit 2030, një synim ambicioz por i arritshëm që kërkon vetëm përkushtim dhe angazhim nga të gjithë aktorët shoqërorë. Nuk është vetëm obligim ndaj BE-së dhe negociatave për anëtarësim, por është edhe obligim dhe detyrim ndaj qytetarëve”, theksoi Mariçiq.

Sipas tij, të gjithë kapitujt e negociatave janë të rëndësishëm, por dy klasterët për agjendën e gjelbër dhe për bujqësinë, janë veçanërisht të rëndësishëm, në këto kushte krize.

Zëvendëskryeministri ritheksoi se Raporti i KE-së për këtë vit ka treguar një nivel të mirë të gatishmërisë, që është obligim shtesë jo vetëm për të folur për progresin e arritur, por edhe për të gjitha dobësitë e konstatuara.