Maqedonasi e rrah rëndë një shqiptar nga Likova në burgun e Kumanovës?

Në stacionin policor në Kumanovë, një i punësuar në burgun “Kshanje” në Kumanovë ka denoncuar se ka ndodhur shkelje e rendit dhe qetësisë me një rrahje mes dy të burgosurve, S.S. (30) nga Ropalca e Likovës dhe M.M. (25) nga Kumanova, transmeton gazeta Lajm.
S.S. është transferuar në Spitalin e përgjithshëm në Kumanovë, ku i janë konstatuar lëndime të rënda. Për rastin është informuar edhe Prokurori publik, kurse hetime ka kryer një ekip i policisë së Kumanovës”, njoftoi MPB.
Burime të gazetës Lajm thonë se i sulmuari nga Ropalca është shqiptar, kurse sulmuesi është maqedonas.
Ky është incidenti i tretë brenda një kohe të shkurtër në burgun e Kumanovës. Në dy raste më herët të burgosur shqiptarë kanë djegur qelitë të pakënaqur nga trajtimi në burg. Të burgosurit shqiptarë ankohen se gardianët e burgut sillen dhunshëm dhe i rrahin pa kurrfarë preteksti dhe se drejtoria e burgut nuk merr kurrfarë masa. Ata kritikojnë zëvendës drejtorin shqiptar, i cili nuk bën asgjë për të parandalur këtë dhunë.