Maqedonia zyrtarisht në gjendje krize, nis përgatitja e planit të veprimit

Maqedonia e Veriut zyrtarisht në gjendje krize. Komiteti për menaxhim me kriza ka filluar me përgatitjen e planit aksionar. Po kërkohet zgjidhje edhe për kapacitetet spitalore.

“Për shkak se kapacitetet e klinikave private janë të mbingarkuara, ish hapësirat e spitalit privat Sistina është njëra nga idetë që të kthehet në qendër të përbashkët të klinikave private e që do të menaxhohet nga Qeveria gjatë gjendjes së krizës, për trajtimin e pacientëve nga Kovid-19. Në takimin që një ditë më parë kishte ministri i Shëndetësisë me pronarët e klinikave private, ideja parimisht është pranuar por ka mbetur të saktësohen kapacitetet dhe mënyra e shfrytëzimit të resurseve”.

Pse ishte e nevojshme gjendja e krizës? Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për 24Vesti thotë se pa këtë mekanizëm juridik, Armata do ta kishte të pamundur asistencën ndaj policisë në luftën kundër pandemisë.

Në këtë moment Ushtria nuk ka më shumë hapësirë për ndihëm. Shfrytëzojmë Ligjin për shërbim në Armatë dhe kjo nuk lejon shfrytëzimin e më shumë njerëzve, pra nuk është e mjaftueshme. Për këtë arsye duhej gjendje krize sepse sipas Ligjit për menaxhim me kriza ushtria mund të ketë rol më të madh në ndihmën ndaj policisë vetëm në situata të krizës, gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së luftës”-tha Stevo Pendarovski, president.

Me hartimin e planit aksionar nga Komiteti për menaxhim me kriza kapacitetet e Ushtrisë do të vihen në shërbim të policisë. Gjithkund ku ka kompetenca policia, do të jenë të pranishëm edhe forcat ushtarake por jo pa prezencën e policisë. Trupat mbrojtës do të jenë në ndihmë edhe të personelit mjekësor. Vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës doli nga mbledhja e fundit në Këshillin e Sigurisë./Alsat