Askujt mos t’i shkojë në mend të bëjë presion nga aspekti politik ndaj të punësuarve në sektorin publik në periudhën që vijon për shkak zgjedhjeve, nëse ndodh kjo, të paraqitet menjëherë, thotë ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski në një intervistë për MIA-n.
Ai paralajmëron bashkëpunim me zëvendësin që do jetë në dikasterin e tij nga radhët e opozitës nga 3 janari në qeverinë teknike për shkak zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 12 prill vitit të ardhshëm.
“Nga ana jonë do të kenë derë absolutisht të hapur, qasje në informacionet dhe dokumentet që u duhen në pajtim me ligjin, ashtu siç është, nuk kemi asgjë për të fshehur, të hapur dhe në mënyrë transparente siç jemi ndaj qytetarëve”, thekson Mançevski.
Një prej shërbimeve të reja do të lëshohet përmes Portalit nacional për shërbime elektronike deri në fund të këtij muajit apo fillimi të muajit të ardhshëm, siç informon, do të jetë regjistrimi elektronik i fëmijëve nëpër kopshte, ndërsa do të vlejë për të gjitha komunat.
Sipas tij deri në fund të janarit do të jetë gati Propozim-ligji i i ri për organizimin e organeve të administratës shtetërore i cili është bazë për krijimin e institucioneve. Një pjesë e analizave të përfunduara tregojnë se 25 inspektorate që ekzistojnë, duhet të ulen në 13, por potencoi se kjo nuk do të thotë heqje e tyre por bashkim dhe efikasitet më i madh.