Man Utd & Man City së bashku dhurojnë 100 mijë euro në këtë kohë krize për shkak koronavirusit

Mbi 108 mijë euro, pra 100 mijë funte – kaq kanë dhuruar Man United dhe Man City për familjet në nevojë për ushqim në këtë kohë krize për shkak të koronavirusit.

Pas përhapjes me shpejtësi të COVID-19 “Djajtë e Kuq” dhe “Qytetarët” kanë bashkuar forcat për qytetin e tyre.

Ata kanë dhuruar 100 mijë funte, apo rreth 108 mijë euro së bashku për të ndihmuar personat që kanë nevojë për ushqime gjatë kësaj periudhe të vështirë që ka kapluar gjithë botën.

Manchester City dhe United kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

“Ne jemi krenarë për rolin që tifozët tanë luajnë për të ndihmuar ‘bankat e ushqimeve’ për gjithë personat që kanë nevojë për t’u ushqyer në këto ditë të vështira”, shkruhet në një pjesë të deklaratës.

Deri më tani, me këtë virus të rrezikshëm dhe padukshëm, janë infektuar mbi 300 mijë persona në gjithë botën, derisa kanë ndërrua jetë mbi 11 mijë.

Numri i vdekjeve është më i madhi në Itali nga koronavirusi, madje ka kaluar edhe Kinën, vend në të cilin lindi gjithçka.

Raportohet se deri më tani kanë vdekur mbi 4 mijë persona në Itali.

Për shkak të virusit COVID-19, tashmë në Evropë janë suspenduar pothuajse gjitha kampionatet.

Ato priten të rinisin në maj, nëse stabilizohet situata nëpër botë, teksa parashikohet të përfundojnë në fund të qershorit.

Ligat mund të përfundojnë sezonin edhe pse me vonesë falë UEFA-s që ka vendosur ta shtyjë Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’ për vitin 2021.

UEFA ka bërë të ditur se edhe përkundër që do të luhet në vitin 2021, Evropiane do të vazhdojë të quhet ‘Euro 2020’.