Man City dhe Arsenali në ‘luftë’ me njëra-tjetrën për shërbimet e sensacionit të Ligës Premier

Arsenali dhe Manchester City pritet që të rivalizojnë njëra-tjetrën për shërbimet e të njëjtit lojtar, pasi më herët e kishin bërë të njëjtën gjë edhe për Declan Rice.

Arsenali siguroi shërbimet e Rice verën e kaluar, pasi shpenzuan një shifër rekord të klubit prej 105 milionë eurosh, për ta joshur atë të transferohet nga West Hami.

Rice kishte tërhequr interesimin edhe nga Manchester City, para se ylli anglez të favorizojë kalimin në Londrën Veriore.

Tani, duket se Mikel Arteta dhe Pep Guardiola do të shkojnë ‘kokë më kokë’ për një tjetër lojtar, për të dytin vit rresht.

Siç raporton The Telegraph, Arsenali dhe Manchester City, që të dyja, janë duke monitoruar nga afër situatën e Bruno Guimaraes, i cili ka shkëlqyer për Newcastle Unitedin që prej transferimit të tij nga Lyoni për 40 milionë euro.

Është thënë se Guimaraes është në dijeni të interesimit nga këto dy klube, teksa edhe Paris Saint-Germaini gjithashtu duket se është i etur për të transferuar brazilianin në fund të sezonit.

Reprezentuesi brazilian besohet se ka një klauzolë lirimi në vlerë prej 100 milionë eurosh, sidoqoftë sipas raportit klubet do të mundohen që të arrijnë një marrëveshje për një çmim më të vogël.

Guimaraes i cili është pjesë e Newcastle që nga janari i vitit 2022, cilësohet si një nga mesfushorët më të mirë në elitën e futbollit anglez dhe ka luajtur deri më tani 101 ndeshje për ta, duke shënuar 14 gola.