Makao shënon përvjetorin e themelimit

Rajoni i Posaçëm Administrativ i Makaos i Kinës mbajti të martën një ceremoni të ngritjes së flamurit dhe një pritje për të kremtuar 23-vjetorin e kthimit të Makaos në atdhe dhe të themelimit të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos.
Në fjalimin e tij përshëndetës Ho Iat Seng, kryeekzekutivi i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos të Kinës, bëri thirrje për përpjekje të mëtejshme për të mbështetur parimin “Një vend, dy sisteme” . Ai tha se ekonomia e Makaos, jetesa e banorëve të saj dhe punësimi u ndikuan rëndë gjatë tre vjetëve të fundit nga epidemia e COVID-19.

Sipas kryeekzekutivit, qeveria e Makaos ka marrë raunde të shumta masash lehtësimi financiar për të stabilizuar ekonominë, për të mbrojtur punësimin dhe për të lehtësuar vështirësitë e banorëve në tre vjetët e fundit.
Shpenzimet për ruajtjen e mirëqenies së rregullt të banorëve të Makaos kanë qenë rreth 68.3 miliardë pataka (8.5 miliardë dollarë), dhe shpenzimet për ofrimin e ndihmës financiare në përgjigje të pandemisë arritën në rreth 32.3 miliardë pataka, duke çuar në një shpenzim të përgjithshëm rreth 100.6 miliardë pataka, tha Ho.

Në fjalën e tij, ai foli gjithashtu për përpjekjet e qeverisë së Makaos për t’iu përmbajtur sundimit të ligjit, për të mbrojtur në mënyrë efektive sigurinë kombëtare dhe për të përmirësuar vazhdimisht cilësinë dhe standardin e përgjithshëm të qeverisjes .
Kryeekzekutivi vuri në dukje edhe përpjekjet e Makaos për t’u integruar në mënyrë më proaktive në planin e përgjithshëm kombëtar të zhvillimit, duke shtuar se Plani i Dytë Pesëvjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Shoqëror të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos është publikuar për t’u përafruar plotësisht me strategjinë kombëtare të zhvillimit.