Franca dhe Britania do të bashkëkryesojnë të premten (sot) një takim me rreth 40 vende, me qëllim që t’i dërgojnë një sinjal Shteteve të Bashkuara se disa nga aleatët e saj më të afërt janë të gatshëm të luajnë rol në rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, sapo kushtet ta lejojnë.
Irani e ka mbyllur në masë të madhe ngushticën për anijet e huaja, duke lejuar vetëm ato të vetat që nga fillimi i sulmeve ajrore amerikano-izraelite më 28 shkurt.
Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje vendeve të tjera të ndihmojnë në zbatimin e bllokadës dhe ka kritikuar aleatët e NATO-s për mungesë angazhimi.
Megjithatë, Britania, Franca dhe vende të tjera thonë se pjesëmarrja në bllokadë do të nënkuptonte përfshirje direkte në luftë. Ata kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar në mbajtjen e hapur të ngushticës vetëm pasi të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm ose të përfundojë konflikti, raporton Reuters.
Nisma që po diskutohet aktualisht nuk përfshin Shtetet e Bashkuara apo Iranin, megjithëse diplomatët evropianë theksojnë se çdo mision realist do të kërkonte koordinim me të dyja palët. Uashingtoni pritet të informohet për rezultatet e takimit.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë vendeve pjesëmarrëse, qëllimi i takimit është të riafirmojë mbështetjen e plotë diplomatike për lirinë e pakufizuar të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
Takimi do të trajtojë gjithashtu sfidat ekonomike me të cilat përballet industria e transportit detar, si dhe sigurinë e më shumë se 20.000 marinarëve të bllokuar dhe anijeve tregtare që kanë mbetur në vend.
Po ashtu, do të paraqiten përgatitjet për vendosjen – kur të krijohen kushtet – të një misioni shumëkombësh ushtarak me karakter strikt mbrojtës, për të garantuar lirinë e lundrimit.
Në fund të takimit pritet një deklaratë e përbashkët, e cila do të japë një ide më konkrete për mënyrën se si mund të funksionojë ky mision, megjithëse nuk pritet të specifikohen kontributet e vendeve të veçanta.
Në takim, që do të zhvillohet në Paris, do të marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ndërsa zyrtarë nga Evropa, Azia dhe Lindja e Mesme do të bashkohen përmes videokonferencës.
Edhe Kina është ftuar, por nuk është e qartë nëse do të marrë pjesë.
Britania njoftoi se diskutimet e së premtes do të shërbejnë si bazë për një takim planifikues ushtarak shumëkombësh javën e ardhshme.



