Lumi në Shipkovicë rrezikon jetën e banorëve

Axha Mehdi nga Shipkovica, ka drojë sa herë që bie shi.

“Unë jam i djegur me axhën, mua më shkuan dy fëmijë, sa herë që bie shi ne ngjitemi në atë ballkonin lart atje. Dhe do e shohim, mbrëmë dy herë në mbrëmje kam dal se ka ra shi e kam pa nëse është mbushur ky lumë. Nëse mbushet shumë me ujë unë menjëherë fëmijët i çoj lart tek shtëpia, jo veç unë krejt ne këtu që jemi bëjmë ashtu, ne kemi mbetur me trauma”, deklaroi Mehdi Ahmeti, banor i Shipkovicës.

Axha Mehdi humbi dy nipërit e tij në vërshimet e vitit 2015.

Por thotë se rreziku ende është prezent deri sa nuk do të rregullohet shtrati i lumit. Ai thotë se ministrat dhe komuna u kanë premtuar se do ta rregullojnë shtratin e lumit, por ende po presin që të fillojnë punimet. Ai thotë se disa inxhinierë kanë dalë në terren por ende nuk kanë bërë asgjë.

“Ministri, ishte edhe i Ekologjisë, ishte edhe i Ekonomisë ishin të gjithë, edhe përfaqësues të komunës. Komuna e Tetovës duhet ta përgatisë projektin, kurse Qeveria ta bëjë financimin edhe ashtu mbeti. Kanë qenë tre herë inxhinierët e Komunës së Tetovës, kanë matur kanë vendosur disa pika, tani presim realizimin”, theksoi Ahmeti.

Shtrati i lumit duhet të zgjerohet dhe të bëhet një shtrat i ri ku nuk do të rrezikoj jetët e banorëve të Shipkovicës. Edhe banori Adil Abdiu thotë se kanë bërë disa matje por nuk kanë rregulluar deri më tani asgjë.

“Shtrati i lumit duhet të ndërtohet nga atje poshtë deri atje lart, kanë qenë kanë bërë disa matje kurse do ta rregullojnë por nuk e rregulluan”, tha Adil Abdiu, banor i Shipkovicës.

E pyetëm edhe Komunën e Tetovës a është gati projekti, por ato në linjë telefonike na thanë që projekti është gati por se ende nuk e kanë dorërzuar në Qeveri sepse Qeveria nuk ka mjete për projektin.

Ministri Sadulla Duraku dhe ministrat e tjerë para disa muajsh ishin në Shipkovicë dhe u premtuan banorëve se shumë shpejt do të fillojnë punimet për rregullimin e shtratit të lumit./TV21