Luftë dhe urrejtje: Mësimi i Ukrainës

Nga — Vesna Pusiq

Teksa lufta po bëhet më brutale dhe forcat ruse po sulmojnë me gjithë forcën e tyre, dallimi midis popullit rus, djelmoshave ushtarë dhe regjimit të Putinit do të mjegullohet në sytë e ukrainasve. Por as ata dhe as ne nuk duhet ta harrojmë ndonjëherë mësimin e ditëve të para të rezistencës ukrainase. Ngase çfarëdo që të ndodhë, ukrainasit në fund do të duhet që ta rindërtojnë shtetin e tyre, dhe kjo duhet të çmohet si një trashëgimi e rëndësishme

Në javën e parë të agresionit të Rusisë në Ukrainë, momentet më të frikshme ishin dy fjalimet e Putinit: njëri të hënën e 21 shkurtit dhe tjetri tek po e niste luftën më 24 shkurt.

Ishte diskursi i rëndomtë që përkon me luftërat e agresionit, ku të sulmuarit është mbrojtje, pushtimi është parandalim dhe agresorët janë viktimat. Por kishte njashtu diçka që i bëri fjalimet shumë më kërcënuese dhe që e shpërfaqi kuptimin më mirë sesa vetë fjalët. Ishte kjo urrejtja e vërtetë e pasionante dhe shpërfillja që Putini tregoi për Ukrainën dhe popullin e saj. Nuk kishte asgjë artificiale dhe të shtirur në të. Ai po i dehumanizonte ukrainasit, duke e mohuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar, dhe pak a shumë po e kërcënonte haptas me sulme bërthamore këdo që do ta synonte daljen në ndihmë të tyre. Në ndërkohë, kjo “pak a shumë” u zhduk, dhe forcat ruse të përmbajtjes bërthamore u vunë zyrtarisht në gjendje të plotë gatishmërie. Dehumanizimi i palës tjetër, armikut, është mjet prej librash shkollorë i tentimit për të justifikuar dhe për t’ua lehtësuar ushtarëve vrasjen pa dallim të njerëzve që po i pushtojnë. Kjo, më shumë se gjithçka tjetër, e shpërfaqi kuptimin e vërtetë të tri synimeve të vendosura nga Putini: demilitarizimi, denazifikimi dhe stabilizimi. Në këtë kontekst, demilitarizimi e nënkupton zhveshjen e Ukrainës nga të gjitha mjetet për mbrojtjen e saj, nga pavarësia e saj dhe integriteti territorial; denazifikimi e nënkupton vrasjen e presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës dhe qeverisë; dhe stabilizimi e nënkupton instalimin e një regjimi kukull nën kontrollin e Rusisë.

Nuk duhet të jetë befasi që ishte një lider afrikan, përfaqësuesi i përhershëm i Kenisë në OKB, Martin Kimani, ai që e njohu më së miri luftën e Putinit, ashtu siç ishte. Në vend që t’i qaset asaj sikur një çështjeje të sigurisë, nacionalizmit, energjisë, ekonomisë apo rivalitetit me Perëndimin, Kimani e shpjegoi atë me termat e neokolonializmit. Është kjo një përpjekje për “ta ndezur prushin e një perandorie të vdekur” dhe për ta rikolonizuar një vartës të dikurshëm. Në neverinë dhe urrejtjen që Putini e shfaqi në fjalimin e tij, liderët afrikanë e afrikano-amerikanë dhe analistët i njohën emocionet e racizmit, për të vërtetuar për më tepër se racizmi shkaktohet më shumë nga iluzioni për supremaci sesa prej dallimeve racore. Kjo nuk do të thotë se krejt gjërat e tjera, si siguria, ekonomia etj., janë njashtu jorelevante. Por esenca e agresionit është përpjekja për rikolonizimin e Ukrainës.

Në orët, ditët dhe netët pasi Putini e solli luftën e tij në Ukrainë, ukrainasit i mësuan botës shumë gjëra. Ata demonstruan edhe njëherë se sa thelbësore është udhëheqja e njëmendtë përherë, por veçmas në kohëra të krizës. Udhëheqja e qëndrueshme, e sigurt, përfshirëse dhe e drejtpërdrejtë e presidentit ukrainas Zelensky nuk ka mobilizuar dhe frymëzuar vetëm popullin e tij. Në më pak se një javë ajo e ka unifikuar BE-në, ka ndryshuar politikën disadekadëshe të Gjermanisë për mbrojtjen dhe ka rritur shpenzimet e saj për mbrojtje në mbi 2 për qind të GDP-së së saj, një çështje kjo për të cilën ajo për vite radhazi nuk do lëvizte edhe përkundër të gjitha kërcënimeve dhe fyerjeve nga Donald Trumpi. Ka luajtur rol madhor në vendosjen e sanksioneve që do ta dëmtojnë Perëndimin, por që e kanë izoluar Rusinë dhe mund fare lehtë ta falimentojnë ekonominë ruse. Ka shtyrë Suedinë dhe Finlandën joanëtare të NATO-s që t’i dërgojnë pajisje ushtarake Ukrainës. Ka bindur Zvicrën që është me fanatizëm neutrale t’ua ngrijë mjetet rusëve. Dhe ia ka dhënë shekullit 21 heroin e tij të parë. Integriteti personal në kohëra prej më të vështirave i një prej liderëve më të papritur të Evropës ka ndryshuar politikat në Evropë. Kjo luftë ka treguar përsëri se sa e rëndësishme është që realiteti të njihet dhe të ballafaqohet. Nuk ka asnjë shpresë për regjimet autoritare – në fund, ato nuk mund ta shmangin psikozën e njohur si “kulti i personalitetit”, që i shkatërron vetë institucionet e tyre shtetërore dhe e dëmton shoqërinë.

E zhvesh liderin prej të kuptuarit dhe lidhjes me realitetin. Është më se e qartë se ajo që Putini e priste në Ukrainë ishte një kombinim i mirëseardhjes dhe dorëzimit, dhe si rrjedhojë një operacion i shpejtë dhe i suksesshëm. Kjo tregon se ai nuk e kishte kuptuar Ukrainën e 2022-tës, por edhe se nuk ka ditur shumëçka për ushtrinë e tij, për gatishmërinë e saj dhe për motivimin për luftë pa një armik. Pavarësisht krejt garancive të miqve të tij, rusët nuk i shohin ukrainasit si armiq. Krejt këto në katër ditët e para të luftës!

Tani, lufta është larg fundit dhe shumë gjëra tragjike mund apo do të ndodhin akoma.

Ne të gjithë shpresojmë se do të marrë fund së shpejti, me një paqe të negociuar, me një Ukrainë të pavarur dhe demokratike që qëndron në këmbët e saj dhe me popullin rus që është në gjendje t’i ribashkohet botës. Por pavarësisht se çfarë ndodh, asnjë prej këtyre mësimeve dhe efekteve nuk do të treten. Janë këtu për të mbetur.

Kjo luftë ka dhe do të ketë pasoja afatgjate për të gjithë botën. Por veçse ka pasoja veçanërisht të prekshme dhe potencialisht të rrezikshme për Ballkanin Perëndimor. Në këtë rajon të vogël të Evropës Juglindore, Putini i ka disa prej mbështetësve të tij më të patundur. Lideri serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, udhëheqja politike në Serbi dhe Partia e Frontit Demokratik në Mal të Zi janë shndërruar nga ndihmësit e Putinit, që e kërcënonin Evropën me jostabilitet në kufijtë e tyre, në aleatët e paktë të mbetur që e mbështesin agresionin e tij në Ukrainë. Udhëheqjes serbe i pëlqen ta barazojë bombardimin rus të Ukrainës me bombardimin e NATO-s në Serbi më 1999. Kjo do të ishte e trishtë po të mos ishte aq fyese si për Ukrainën ashtu edhe për vetë logjikën. Bombardimet e NATO-s ndodhën pasi regjimi i Milosheviqit veç e nisi një luftë të shkurtër në Slloveni, një të gjatë dhe shkatërrimtare në Kroaci, si dhe një edhe më të gjatë dhe gjenocidale në Bosnjë-Hercegovinë. Ishte lufta e tij e katërt në dhjetë vjet, pas viteve të aparteidit kundër popullatës shqiptare në Kosovë dhe pasi rreth 50 për qind e popullatës së Kosovës ishte në ikje, në përpjekjen për shpëtim nga brutaliteti dhe spastrimi etnik i forcave të Milosheviqit. Andaj, regjimi i Milosheviqit në vitet ‘90 nuk mund të krahasohet me Ukrainën demokratike sot.

Por ne në Ballkan kemi diçka tjetër për të mësuar nga Ukraina, siç ka e gjithë bota mbarë. Në kohën e tyre të rrezikut vrastar, ukrainasit nuk i thirrën urrejtjes për të mobilizuar popullin dhe për t’u dhënë kurajë. Bënë të qartë se nuk po e luftojnë popullin rus, por po i luftojnë politikat dhe agresionin e Putinit. E hapën një linjë telefonike për prindërit e ushtarëve rusë, të cilët madje as nuk dinin se ku po shkonin. E publikuan kapjen e një ushtari 19-vjeçar rus, të cilit kapësit ukrainas ia dhanë një telefon për ta thirrur nënën e tij. Po e përçojnë mesazhin se edhe ata nuk po e shohin popullin rus si armik. Edhe në vlugun e luftës, udhëheqja ukrainase duket se është e vëmendshme për shoqërinë e saj në të ardhmen. Nuk e përdor urrejtjen si armë, ngase e kupton qartë se ajo në fund të fundit është më e dëmshmja për vetë shoqërinë e saj. Shoqëritë rimëkëmben shumë më shpejt nga lufta sesa nga urrejtja.

Përvoja na mëson se dhembshuria, veçmas në kohëra lufte dhe fatkeqësish të mëdha, e ka mjerisht një jetëgjatësi të shkurtër. Teksa lufta po bëhet më brutale dhe forcat ruse po sulmojnë me gjithë forcën e tyre, dallimi midis popullit rus, djelmoshave ushtarë dhe regjimit të Putinit do të mjegullohet në sytë e ukrainasve. Por as ata dhe as ne nuk duhet ta harrojmë ndonjëherë mësimin e ditëve të para të rezistencës ukrainase. Ngase çfarëdo që të ndodhë, ukrainasit në fund do të duhet që ta rindërtojnë shtetin e tyre, dhe kjo duhet të çmohet si një trashëgimi e rëndësishme.

(Autorja është ish-ministre e Punëve të Jashtme dhe çështjeve evropiane në Kroaci. Versioni origjinal në anglishte i këtij vështrimi është botuar në portalin instituti politik pan-evropian “European Council on Foreign Relations” (ECFR), që e promovon debatin rreth rolit të Evropës në botë)