Lufta në Ukrainë dhe Muri i Dytë i Berlinit

Shkruan: Senat Ferati

Ish ambasodori francez Michel Foucher në librin “Kthimi i kufijve” pohon se “kufijtë kurrë nuk i shin zhdukur, përpos në hartat mentale të udhëtarëve europian”.

Rënia e Murit të Berlinit kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzimin sepse shkaktoi një dridhje tektonike në të gjithë botën, një dridhje e cila i dha fund Luftës së ftohtë dhe Perdes së Hekurt, e cila shkaktoi rënien e Aparthejdit në Afrikën Jugore, afrimin mes dy Koreve etj. Ishte njëkohësisht një thyerje e madhe psikologjike e mentale meqë imponoi ndryshimin e paradigmave politike, ekonomike, filozofike e ideologjike. Kurse ky ndryshim paradigmash do të jetë i qartë vetëm nëse kuptohet saktësisht e vërteta e asaj që e ka rrethuar , e ka prodhuar dhe që e ka rrënuar Murin e Berlinit. Atë nuk e rrënoi spontaniteti i masës, siç duket në shikim të parë, por zhvillimi dhe evoluimi i BRSS-së, orientimi politik i Gjermanisë Lindore, kooperimi i SHBA-së në hapjen e Bashkimit Sovjetik (Perostrojka e Gorbaçovit) dhe ndihmesa dhënë Solidarnostit në Poloni në delegjitimimin politik të sistemit komunist polak. Kjo dridhje tektonike politike shkaktoi rikonfigurimin e gjitha baraspeshave në të gjitha pikat e globit. Njëra prej këtyre baraspeshave është edhe pozicioni gjeopolitik i Ukrainës.

Luftës së Ukrainës i paraprijnë disa ngjarje shumë të rëndësishme pa të cilat kjo do të mbetet e pakuptuar, apo do të kuptohet vetëm edhe si një luftë e papritshme, thellë e padëshirueshme, brenda kontinentit europian, ku është kultivuar miti modern se luftërat në Europë tash më i takojnë vetëm historisë, meqë në botën postmoderne, në fundin e historisë (Fukujama), luftërat janë mënyra të demoduara për zgjidhjen e konflikteve politike ndëretnike apo ndërshtetërore. Andaj edhe i kemi tani dilemat e mëdha rreth kësaj krize e cila nuk është vetëm politike-doplomatike e ushtarake (lokale), por ka edhe karakter ekonomik e gjeopolitik meqë ka shkatuar tronditje në të gjitha bursat ndërkombëtare.

Kësaj krize, e zier përgjatë 25 viteve, i ka paraprirë doktrina clintoniane e bazuar në doktrinën e Monrosë se SHBA-të kanë të drejtë “të veprojnë unilateralisht kur është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave vitale”, siç është “ sigurimi i qasjejs së papengueshme në tregjet kyçe, në furnizimet energjetike dhe resurset tjera strategjike”. Kësaj i paraprinë edhe thyerja nga ana e Clintonit e premtimit të dhënë nga ana e Bushit të vjetër që Nato nuk do të zgjerohet në lindje. Premtimin e këtillë publik për mosgjerim të Natos në brezin e shteteve që kufizohen me Rusinë, sidomos në Ukrainë dhe në Gruzi, e kanë dhën ndër vite edhe liderët e shteteve lidere të BE-së dhe sekretarët gjeneral të aleancës veriatlantike. Mosgjerimin e Natos në Ukrainë e kanë rekomanduar vazhdimisht edhe diplomatët e lartë si Henri Kisinxher, Zbignjev Brzezinski, Xhek Metlok, Viliam Bërns, Sergej Karaganov etj. Të gjithë këta kanë vlerësuar se do të ishte gabim strategjik i Perëndimit nëse do ta cenonte sigurinë e Rusisë në Ukrainë apo në Gruzi, të cilat shtete Putini vazhdimisht i ka cilësuar si via të kuqe të patolerueshme.

Atëherë si të kuptohet agjitimi i Uashingtonit për revolucion të ngjyrosur në Ukrainë (Mejdani në Kijev)? Mos kemi vallë këtu krizë të mendimit strategjik të elitës së Uashingtonit, si lidere e Perëndimit? Këto dilema mund të sqarohen nëse tërheqim disa paralele nga historia e afërme. Pas luftërave të Napoleonit, liderët europian ishin në nivelin e përgjegjësisë historike që, pas Kongresit të Vjenës në vitin 1814, të e përfshinin edhe Francën në këshillat drejtues të Europës si palë kontribuese për paqe. Por më vonë, fitueset e Luftës së parë Botërore, SHBA-të, Britania dhe Franca, insistuan me këmbëngulje që Gjermania, si fajtore e kësaj lufte, të përjashtohet nga çështjet europiane; dhe rezultati është Lufta e Dytë Botërore. Por mbarimit të LBD-së nuk do të përsëritet gabimi i bërë më herët dhe Gjermania (Perëndimore) do të përfshihet në institucionet drejtuese europiane; rezultati – paqeja shtatë dekadëshe. Kurse tani na imponohet pyetja: a është Perëndimi ai që don ta përjashtojë Rusinë nga kontributi në rujatjen e paqes në Europë, apo është Rusia ajo e cila nuk don të angazhohet për paqen dhe sigurinë në Europë? Kush kend e ka provokuar në sferën e ndikimit? Pse Perëndimi insiston në atë që çdo shtet që don të kontribojë për paqen botërore patjetër të kultivojë sistem politik të demokracisë liberale e të kultivojë vlera kulturore neoliberale, ose përndryshe është armik i Perëndimit? Kjo nuk duket fare si ndonjë strategji racionale!

Më 26-06-1997 Bil Klintonit i drejtohen me letër të hapur 50 nënshkrues me reputacion kredibil politik e intelektual të cilët apelojnë kundër zgjerimit të Natos në republikat ish-sovjetike. Mes tjerash, aty thuhet: “Ne të poshtnënshkruarit mbajmë qëndrim se përpjekjet e tanishme të cilave po u prinë SHBA-ja me synim të zgjerimit të Natos … do të ishin gabim politik me përmasa historike. Mendojmë se zgjerimi i Natos do të zvogëlojë sigurinë e aleancës dhe do të çrregullojë stabilitetin europian…”.

Nëse i shtojmë kësaj edhe Memorandumin e vitit 1994 të firmosur nga SHBA-të, Anglia dhe Rusia për të garantuar sigurinë e Ukrainës, na duket edhe më kontradiktore sjellja e Uashingtonit nga viti 2014 (Mejdani) e këndej! Por, si çdo paradoks, edhe kjo ka spjegimin e vetë. Siç ka thënë në një intervistë Vesli Klarku, Amerikën e sotme e formësojnë intervencionistët neokonzervativ e neoliberal (“skifterët”) të cilët kanë kryer “përmbysjen politike” dhe “kanë marrë udhëheqjen politike në duart e tyre” pas 11 shtatorit. Këta “njerëz të fortë”, nën ndikimin e lobit industrial e ushtarak, po ia dalin që në çdo mandat të ri të rrisin buxhetin ushtarak i cili tash më ka arritur mbi 700 miliard dollar! Kurse ky lobi, me synim që të imponojë demokracinë liberale perëndimore nën firmën e luftimit të diktatorëve, është po ai që ka imponuar intervenimet në Nikaragua, Irak, Afganistan, Siri, Libi etj. Gjithë këto intervenime si pasojë kanë shkaktuar “invazionin” e emigrantëve në Europë të cilët kanë përçarë politikisht BE-në. Krizën me emigrantët, tash më edhe nga Ukraina, po e paguan me kosto të lartë kryesisht BE-ja, meqë Donald Trampi për të penguar emigrantët e ndërtoi murin ndaj Meksikës, si një metodë e demoduar e mbrojtjes nga emigrantët e mjerë! Kurse “mure” për tu mbrojtur nga emigrantët, kryesisht musliman, kanë ndërtuar edhe disa shtete të BE-së, të cilat mure nuk “funksionojnë”për emigrantët ukrainas! Kjo sjellje kontradiktore, dyfytyrëshe, ndaj emigrantëve, pra tjetër pritje për emigrantët ukrainas e tjetër për emigrantët musliman, flet për krizën serioze të vlerave politike e morale europiane.

Por, lufta në Ukrainë, sipas proceseve që po zhvillohen, do të rezultojë me një mur më të madh se kata që i kemi tani. Nëse Murin e Berlinit e ndërtoi BRSS-ja për tu mbrojtur nga “Perëndimi imperialist”, Murin e Dytë të Berlinit, që nuk do të jetë fizik por virtual, mental e epistemiologjik, po e ndërton Perëndimi për tu mbrojtur nga autoritarizmi, siç paralajmëroi presidenti Bajden. Por edhe ky murë, sikur edhe i pari, do të shkaktojë Luftën e Ftohtë të Re dhe do të ketë efekte anësore planetare: rikonfigurime gjeopolitike e strategjike, thyerja e sistemit ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, kolapsi i sistemit ekonomik global, defaktorizimi monopolist i dolarit i bazuar në sistemin e bretonvudsit etj.

Nga debatet e deritanishme televizive e nga analizat e intelektualëve me renome ndërkombëtare, po duket se nuk kemi nxjerrë mësimet nga historia moderne e cila na dëshmon se sa më shumë mure që ndërtojmë, aq më të pasigurt po ndjehemi! Andaj, për të evituar konfliktin potencial nuklear, alternativa është të i japet shansë dialogut e debatit deri “në gjakun e fundit” që të arrihet kompromisi, neutralitet apo solucion tjetër, i përshtatshëm për të dy palët në konflikt, e jo të luftohet për interesa të oligarkëve kleptoman (jo vetëm të Amerikës) e as të krijohen mure të panevojshme, reale apo virtuale, që janë në dëm të koekzistencës njerëzore.