Luboteni, nuk ka zgjidhje për ujin e pijshëm

Banorët e fshatit Luboten të komunës së Butelit me dekada nuk e shfrytëzojnë për pije ujin që rrjedh në çezmat e tyre. Sipas banorëve, uji që vjen nga ujësjellësi mbi fshat është vazhdimisht i turbullt, ndërsa gjatë reshjeve të shiut uji bart me vete rërë dhe baltë. Banorët thonë se kjo ndodhë për shkak të mos mirëmbajtjes së ujësjellësit dhe punimeve të paligjshme mbi të. Lubotenasit, për momentin ujë për pije mbushin në dy çezmat e fshatit.

“Me cisterna dikush, kush ka. U premtua qe 30 vjet, s’ka ujësjellës. Vetëm votat kur vijnë me i marr premtojnë pastaj s’ka asgjë”, tha një banor.

“Problemi me ujësjellësin është i kamotshëm, tashmë 30 vjet. Premtimet janë të mëdha ndërsa në realitet asgjë nuk bëhet”, shtoi një tjetër banor.

“Në fillim ka qenë shumë i mirë, kur u bë ujësjellësi u bë në rregull sikur që kërkohet, por më vonë kanë dashur të shtojnë kapacitetin e ujit edhe tash nuk pihet ai ujë, i papastër. Kur bie shi vjen i turbullt”, theksoi një banor tjetër.

Banorët e Lubotenit ankohen edhe për dëme të mëdha në pajisjet shtëpiake si rezultat i ujit të papastër.