Alarmante në Shkup: katër raste të dhunës mes të miturve brenda 24 orëve, në shkolla, palestra dhe parkun e qytetit

Katër raste të ndara të dhunës ku janë përfshirë të mitur janë regjistruar brenda vetëm 24 orëve në Shkup. Incidentet kanë ndodhur në ambiente shkollore, në një sallë sportive dhe në hapësira publike.

Sulme në shkollë dhe në sallë sportive

Në një shkollë fillore në Komunën e Aerodromit, dy të mitur kanë sulmuar fizikisht një bashkëmoshatar, ndërsa një i tretë e ka filmuar të gjithë ngjarjen me telefon.

Një tjetër incident ka ndodhur në zhveshtoren e një salle sportive në Ilinden, ku dy vajza të mitura kanë sulmuar fizikisht një 12-vjeçare. Rastin në polici e ka denoncuar babai i saj.

Ndërkohë, në Aerodrom është raportuar edhe një përleshje fizike mes një 18-vjeçari dhe një 14-vjeçari, për shkak të marrëdhënieve të mëparshme të tensionuara mes tyre.

Grabitje në Parkun e Qytetit, arrestohen tre të dyshuar

Rasti më i rëndë është regjistruar në Parkun e Qytetit në Shkup, ku një 18-vjeçar dhe dy 17-vjeçarë, nën kërcënimin me një objekt druri, kanë grabitur katër të mitur. Dy prej viktimave janë sulmuar edhe fizikisht.

Tre të dyshuarit për grabitjen janë arrestuar, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të të katër rasteve.

Ndaj personave të përfshirë pritet të parashtrohen kallëzimet përkatëse.