Llogaritë e papaguara të BE-së

Shkruan: Blerim Shala

Punët a papërfunduara të Bashkimit Evropian.

Edhe në këtë mënyrë mund të përshkruhet (shumë sakt, madje), çfarë na pret tash e tutje në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili do të duhej gjatë këtij viti (në skenarin më të mirë të mundshëm), të konkludohet me Marrëveshjen Themelore të këtyre dy shteteve.

BE-ja është cilësuar shumë herë si një përbindësh ekonomik dhe një xhuxh politik, dukuri kjo fare e rrallë në histori.

Në rastin e Kosovës, Bashkimi Evropian, pa dyshim, ka luajtur një rol të madh që nga vitet e luftës e këndej. Por, megjithatë, asnjëherë nuk arriti të dëshmojë që është në gjendje të merr vendime të mëdha për Kosovën, të cilat do t’i jepnin fund kësaj teme në Bruksel, dhe do të konfirmonin fuqinë politike të BE-së.

BE-ja ka pasur përfaqësuesin e vet në Procesin e definimit të statusit të Kosovës, të prirë nga Presidenti Ahtisaari. Ishte ky diplomati i shquar austriak, Stefan Lehne. Për më shumë, në atë fazën shtesë të negociatave për statusin e Kosovës, (në verën, vjeshtën e vitit 2007), BE-ja madje ka pasë rolin qendror, përmes diplomatit të njohur gjerman, Wolfgang Ischinger.

Te dytë, Lehne dhe Ischinger nuk panë tjetër solucion për statusin e Kosovës, pos atij të propozuar prej Presidentit Ahtisaari: Pavarësinë e Kosovës, fillimisht të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.

Këtë qëndrim e pati mbështetur edhe Javier Solana, asokohe Shef i diplomacisë së BE-së. Përkundër të gjithave, BE-ja nuk arriti të ketë qëndrim unik për statusin e Kosovës, në dimrin e vitit 2008.

Ishte ky dështim i madh i Bashkimit Evropian.

Kur Kosova u pavarësua, në vitin 2008, pesë shtete të BE-së nuk iu bashkuan 22 shteteve tjera, apo, ato nuk njohën pavarësinë e Kosovës. Ishin këto: Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.

Mungesa e unitetit në BE, në atë vitin 2008 (dhe më pas), i ka shkaktuar dëme Kosovës shumëfish më të mëdha se sa Rusia dhe Kina së bashku.

Po të ishte ndryshe, apo sikur të gjitha shtetet e BE-së ta kishin njohur Kosovën në vitin 2008, nuk do të kishte pasur nevojë kurrë për një dialog të mirëfilltë politik në mes të Autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit.

Secili pushtet i Serbisë do të ishte ballafaquar, në atë rast, me domosdoshmërinë e bërjes së një dialogu krejtësisht teknik me pushtetin e Kosovës, në përkrahje të jetësimi të Pakos së Presidentit Ahtisaari, veçmas kur bëhej fjalë për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë.

S’do mend që qëmoti Kosova dhe Serbia do ta nënshkruanin Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova, poashtu, tashmë kishte pasur statusin e shtetit kandidat për anëtarësimin në BE, dhe me gjasë, do të ishte fare pranë hyrjes në Aleancën Veri-Atlantike (në mos edhe do të ishte anëtar).

Në të vërtetë, kur dihet se çfarë rrethanash ndërkombëtare kanë mbretëruar në Botë, dhjetë vjet më parë, Marrëveshja eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë (qoftë edhe pa njohjen formale, apo, në këtë trajtën që është tani aktuale), do të mund t’ia hapte Kosovës edhe portën e anëtarësimit në OKB.

Ky konkludim është gjithsesi i qëndrueshëm, dhe do të mund të argumentohej lehtë dhe bindshëm.

BE-ja, në anën tjetër, nuk ka pasur asnjëherë unitet të mirëfilltë edhe prej se, në vjeshtën e vitit 2011, në vijim të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mori timonin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ka qenë iluzore atëherë, dhe njëlloj iluzore është sot e kësaj dite, të pritet që përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë vet do të arrijnë tek Marrëveshja Gjithpërfshirëse/ Ligjërisht detyruese (Brukeli di së paku se si t’i emërtojë Marrëveshjet), me një dorë lehtësuese të Bashkimit Evropian.

Dialogu 12 vjeçar, herë teknik, herë politik, e herë as teknik dhe as politik, ka mbërri tani në fazën kur sërish varet nga gatishmëria dhe gjindshmëria e BE-së, pikërisht (nëse i kthehemi fillimit të këtij shkrimi), për t’i përmbyllur punët e lënë të papërfunduara që nga vitet 2007, 2008.

Nuk ka kurfarë dyshimi se si do të merr fund kjo ndërmarrje e re ndërkombëtare për arritjen e Marrëveshjes themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila madje është emërtuar si ‘Propozimi Evropian’ (pikërisht me qëllim të krijimit të unitetit në BE), nëse njëmend të gjitha 27 shtetet e BE-së do të jenë së bashku në mbështetjen e tij.

Rendi është që BE-ja më në fund t’i kryej punët e veta.