„Llaskarca“ kthehet në pikën zero: Gjykata Supreme anulon vendimin e Apelit

Gjykata Supreme ka shpjeguar arsyet pse anuloi vendimin e Gjykatës së Apelit për tragjedinë e Llaskarcës dhe e ktheu lëndën në rishqyrtim.

Sipas Gjykatës Supreme, Apeli nuk u është përgjigjur në mënyrë konkrete të gjitha pretendimeve të të dënuarve dhe nuk ka arsyetuar mjaftueshëm se mbi cilat prova është përcaktuar përgjegjësia penale e secilit prej tyre.

Vërejtje ka edhe ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ku, sipas Supreme, mbizotëron përshkrimi i provave pa shpjegim të mjaftueshëm se si gjykata ka arritur te përfundimet e saj.

Tani Gjykata e Apelit duhet ta analizojë sërish tërë lëndën dhe pretendimet e mbrojtjes, në përputhje me udhëzimet e Gjykatës Supreme.

Me vendimin e anuluar të 17 prillit 2025, dënimet e disa të akuzuarve ishin rritur. Durmish Belluli dhe Remzi Miftari ishin dënuar me nga 10 vjet burg, ndërsa Igor Gjorgjevski dhe Goran Dukovski me nga 7 vjet. Manoil Trifunovski kishte mbetur me 14, ndërsa Jane Bovarovski me 5 vjet burg.

Aksidenti tragjik ndodhi më 13 shkurt 2019, kur autobusi i „Durmo Turs“ doli nga autostrada Shkup–Tetovë. 16 persona humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u plagosën.