LIVE: “Ti po ma çon gishtin mu a”, tensionohet situata në Kuvendin e Kosovës – përplasje mes Gashit dhe Muratit

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ishte kundër që të diskutohen temat e Bordit të ARKEP dhe AKP-së në seancë. Ai tha se opozita nuk ka pasur njohuri se do të diskutoheshin këto dy tema.

Gashi ka shkuar për një konsultë te kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci.

Aty ka biseduar edhe me ministrin Hekuran Murati, ku shihet duke i thënë “Ti po ma çon gishtin mu a”.

Më pas Bogujevci i thotë të shkojë në vend.

“Zotni, ulu në vend. Dil ulu në vend thash, edhe nuk kam…(nuk kuptohet) u kry. S’po më intereson hiç”.

***

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që në rend të ditës të seancës të diskutohet edhe raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe raporti për emërimin e kryetarëve dhe anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

“Para miratimit të rendit të ditës, dua të propozojë dy pika shtesë. Në emër të GP-së së VV-së propozojë futjen në rend të ditës edhe të dy rekomandimeve të miratuara në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti. I pari ka të bëj me raportin vjetor të punës të AKP-së dhe i dyti me raportin lidhur me emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të ARKEP”, ka thënë ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Këtë propozim të VV-së e kanë kundërshtuar LDK-ja.

“Mendoj se kërkesa për të futur në rend të ditës, çështje që nuk u janë shpërndarë deputetëve, të cilët nuk janë në gjendje që t’i trajtojnë në mënyre dinjitoze, ne nuk e përkrahim një ide të tillë. Po na përsëriten rastet kur çështjet po vijnë me urgjencë në seancë. Nuk po e kuptojmë këtë urgjencë. Mund të thirrni seancë, nesër ose pasnesër, për çështje që edhe deputetëve janë të njoftuar. Janë propozime të rëndësishme që po trajtohen në mënyrë joserioze. Kush prej deputetëve e ka ditë që do të trajtohen këto tema sot. Është shumë joserioze me u propozu kështu”, tha Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kjoështë në kundërshtim të frymës parlamentare.

“AAK-ja e sheh këtë çasje dhe këtë logjikë të kontrabandimit të temave në seancë, si një logjik shumë e gabuar dhe që nuk është në frymën parlamentare. Lidhet me një temë që nuk ka fare urgjencë. Ne jemi kundër kësaj dhe kërkojmë që të bëhet në një seancë tjetër”.

Kusari-Lila tha se asgjë nuk është e jashtë ligjshme që të futen në rend të ditës rekomandimi i Komisionit për Ekonomi për shkarkimin e bordit të AKP-së.

“Mbledhja e Komisionit për Ekonomi ka qenë publike dhe në atë takim për tri ore kemi diskutuar dhe është votuar me 6 vota pro qe seancës ti procedohet shkarkimi i bordit të AKP-së”.

“Dje Bordi që është në proces të shkarkimit ka dërguar letër kërkesë realizimi i pagesave të anëtarëve të bordit të AKP-së, një takim i anëtarëve të Bordit të AKP-së i kushton 26 mijë euro. Kemi kërkuar sot në mëngjes që të futet rekomandimi i komisionit asgjë e jashtëligjshme”.

***

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos lejimin e kthimit të aseteve nacionale.

Ai ka thënë se në ditën kur ka qenë duke u marrë një vendim i rëndësishëm për kthimin e aseteve shtetërore, kryeministri Kurti ka marrë vendim ta ndalojë procesin.

“Si ndodhi që në ditën kur ishte duke u marrë vendim kaq i rëndësishëm për kthimin e 1500 hektarëve tokë në pronësi të shtetit, kryeministri Kurti me një e-mail, 15 minuta para vendimit për kthimin e 1500 hektarëve tokë, e ndalon procesin me ç’rast edhe nuk merret vendimi. Tash vjen edhe kryeministri dhe dua ta pyes a ka pasur njohuri për këtë proces, pasi që ai vetë ka thënë se është për kthimin e aseteve shtetërore që janë shitur”, ka thënë Shala në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

***

AAK me akuza ndaj Qeverisë Kurti: Po tenton të kap institucionet!

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri nuk është pajtuar që të futet në rend dite emërimi i bordit të ARKEP dhe raporti i AKP-së.

Tahiri ka thënë se qëllimi i vetëm këtu është kapja e institucioneve nga ana e Qeverisë.

“Grupi Parlamentar i AAK-së e sheh këtë qasje dhe këtë logjik të kontrabandimit të temave në seancë, si një logjik shumë të gabuar. Emërimi i bordit të ARKEP dhe shkarkimi i bordit të AKP, është logjika që ne që kemi thënë që kjo qeveri ka synim kapjen e institucioneve. Këtë çështje nuk e kemi diskutuar në mbledhje të kryesisë, dhe i vetmi qëllim këtu prapë po e them është kapja e institucioneve rend me rend”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka shtuar se si AAK janë kundër kësaj dhe kërkuan që këto tema të diskutohet në një seancë tjetër.

***

Vetëvendosje kërkon të futet në rend dite edhe rekomandimi për raportin vjetor të AKP-së

Ushtruesja e detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka propozuar edhe dy pika për seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, që sipas saj, duhet diskutuar edhe për raportin vjetor e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të autoritetit rregullativ për komunikime elektronike dje postare.

Kusari-Lila: Të futen dy pika shtesë në rendin e ditës

“Dua të propozoj dy pika shtesë të rendit të ditës të cilat bazohen në rregulloren e punës së Kuvendit, neni 42 pika 2. Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje propozoj futjen në rend të ditës edhe të dy rekomandimeve të miratuara në komisionin parlamentar për ekonomi, industri dhe ndërmarrësi, i pari rekomandim ka të bëjë me raportin vjetor të punës së agjencisë kosovare të privatizimit, i dyti rekomandim ka të bëjë me raportin lidhur me emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të autoritetit rregullativ për komunikime elektronike dje postare ARKEP”, tha ajo.

Deputetët sot janë mbledhur në debat parlamentar lidhur me sistemin e arsimit në kushtet e pandemisë.

***

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët do të shqyrtojnë disa pika të rendit të ditës.

Pika kryesore mbetet debati parlamentar mbi organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

Para pak minutash ka filluar seanca plenare e Kuvendit.

Sikurse në çdo seancë të re do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Më pas do të bëhet shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2020.

Më pastaj është paraparë dormimi i Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe formimi i Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media.

Si pikë e shtatë është shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare.

***

Në seancën e sotme parlamentare, diskutohen 8 pika të rendit të ditës.

Seanca e Kuvendit fillon në orën 10:00.

Pika kryesore e rendit të ditës është ajo mbi organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

Rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

4. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2020,

5. Formimi i Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

6. Formimi i Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media,

7. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,

8. Debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.