Limani: Do të ndalojmë ikjen e rinisë dhe do ua rikthejmë shpresën

Kanditati i pavarur për kryetar të komunës së Kërçovës, Fatmir Beqir Limani, vizitoi lagjen Biçincë të Kërçovës. Ai u prit në mënyrë madhështore nga komuniteti turk në lagjen Biçincë, ku shihej një numër i madh i tyre. Duke pasur parasyshë që 58 përqind e të rinjve synojnë të largohen nga Maqedonia e Veriut, Fatmir Beqir Limani, i dha theks të veçantë ikjes së të rinjve nga vendlindja.

Limani tha se duhet të ndalohet fenomeni i ikjes dhe dëbimit të të rinjve dhe tu rikthehet shpresa e vrarë. “Ne duhet ta ndalojmë këtë fenomen. Ne bashkë do të bëhemi si trung, si grusht, për të arritur të ndërpresim ikjen dhe dëbimin e të rinjve. Dëbimi i të rinjve ndalohet vetëm atëherë kur ne të rikthejmë shpresën e vrarë tek ato”, u shpreh Fatmir Limani.

Në statistikat e fundit, vetëm 6.9 përqind e të rinjve do të ktheheshin përsëri në vend. E për këtë, Limani shtoi se nuk duhet të lejojmë që të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre jashtë vendlindjes dhe pas disa viteve të mbesim të vetëm. Ai gjithshtu bëri thirrje që së bashku të ndalojmë fëmijët tanë në vendlindje. “Ne shohim se secili i ri, të ardhem e tij e sheh larg vendit të tij. Atëherë shtrohet pyetja, përse i kemi ndërtuar këto shtëpi? Pse kemi investuar gjithë jetën tonë në këtë lagje të Biçincës? Pse do të duhej që ne të punojmë kaq shumë që pas 40 a 50 viteve ose 60 viteve, të mbetemi të vetëm këtu dhe pa më të dashurit tanë? Andaj, sonte u bëj thirrje të gjithëve, bëhemi bashkë, të ndalojmë fëmijët tanë këtu. Të bëjmë për të ardhmen e tyre”, tha Fatmir Limani, kandidat i pavarur për komunën e Kërçovës.