Të dënuarit e rastit të Kumanovës, pa marrë parasysh veprës penale dhe peshës së saj, sipas Kodit Penal të Maqedonisë, në këtë fazë të procesit, kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë vikendet e lira dhe vizitat familjare, thotë një ndër avokatët e rastit, Ibrahim Bajrami. Madje, sipas tij ata kanë të drejtë që të parashtrojnë edhe kërkesë që për pjesën tjetër të dënimit të lirohen me kusht.
“Brenda afatit një mujor si një kërkesë administrative, organi është i obliguar që brenda 30 ditëve t’u japin një përgjigje. Nëse jo pse jo, nëse po pse po. Këtyre nuk po u jepet as përgjigje negative as përgjigje pozitive, po lihen pezull. Gjithçka që është thënë publikisht nga politika, nga njerëzit kompetent të gjyqësorit se janë të vullnetshëm për t’i shfrytëzuar rrethanat ligjore pozitive këta djelmosha që vuajnë dënimin janë plotësisht të pavërteta”, tha Ibrahim Bajrami, avokat.
Avokati Bajrami pohon se ligjërisht të gjitha kërkesat e të burgosurve që janë në grevë urie mbajnë ujë, por mungesa e vullnetit të organeve kompetente për t’iu përgjigjur pozitivisht, po i mban ende pezull.
Студент кој открил лек за дијабетес открива:
Në këtë drejtim, TV21 kontaktoi edhe me zëvendësdrejtorin e Burgut, Sadush Arifi i cili tha se ende nuk ka përgjigje nga Drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, prej të cilit sipas tij varet edhe përgjigjja e kërkesës së të burgosurve.
“Ne jemi në pritje të vendimit të drejtorisë për Ekzekutim të Sanksioneve për transfer në burgjet tjera. E mbikëqyrim situatën. Deri tash ata nuk kanë pranuar të takohen me ne dhe udhëheqësit e sektorit të risocializimit. Jemi në komunikim permanent edhe me shërbimet që janë për raste të rënda. Ka pasur edhe premtim nga ana e drejtorit për Ekzekutim të Sanksioneve por deri tash nuk ka asgjë konkrete. Pa u transferuar në burgjet ndëshkuese përmirësuese të kategorisë së lartë nuk mund t’ju dalim në ndihmë”, deklaroi Sadush Arifi, zëvendësdrejtor i burgut të Shkupit.
Kontaktuam edhe me drejtorin për Zbatimin e Sanksioneve Marjan Spasovski prej të cilit kërkuam deklaratë në lidhje me ecurinë e rastit. Drejtori jo vetëm që nuk pranoi të jep deklaratë me arsyetimin se nuk ka informacione, por nuk ishte fare në dijeni nëse të burgosurit janë ende në grevë.
Ndryshe, nga zëvendësdrejtori i burgut kuptuam se të burgosurit janë ende në grevë urie, ndërsa siç bëri të ditur ai gjendja e tyre shëndetësore është stabile.