Udhëheqësit botërorë u shprehën të tronditur nga plagosja e ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, gjatë një fjalimi në qytetin Nara.
Abe po merrte pjesë në një tubim zgjedhor, kur u qëllua me armë zjarri.
Zyrtarët japonezë thanë se ai është në “gjendje kritike” për jetën.
Sulmuesi i dyshuar u arrestua në vendin e ngjarjes.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të pikëlluara dhe thellësisht të shqetësuara” nga tentativa për vrasjen e Abes.
“Ky është një moment shumë, shumë i hidhur”, tha ai.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se është “thellësisht i tronditur nga të shtënat e tmerrshme” kundër Shinzo Abes.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e cilësoi sulmin si “frikacak”.
Abe ka qenë “një mik i vërtetë, mbrojtës i fuqishëm i rendit shumëpalësh dhe i vlerave demokratike”, tha Michel.
“Lajm tronditës” nga Japonia, tha kryeministri i Australisë, Anthony Albanese.
“Ngjarjet si kjo na tronditin të gjithëve deri në palcë”, tha kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.
Abe ka thyer rekordet si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.
Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. Atëbotë, ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore.