Uji nga çezmat publike “Tasino Çeshmiçe”, në komunën Qendër të Shkupit, është shpallur i papërshtatshëm për pije, pasi analizat bakteriologjike kanë zbuluar prani të shtuar të baktereve koliforme.
Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, njoftoi se rezultatet e analizave të kryera nga Qendra e Shëndetit Publik në Shkup kanë konstatuar se uji nga të dyja çezmat publike, ajo në anën e majtë dhe të djathtë, nuk i plotëson standardet ligjore dhe shëndetësore për konsum.
Për këtë arsye, autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos e përdorin ujin për pije, deri në publikimin e rezultateve të reja laboratorike.
Komuna do të informojë qytetarët pas përfundimit të analizave të radhës.



